Policët francezë protestojnë kundër akuzave
Akuzat ndaj policisë franceze për racizëm dhe dhunë të tepruar, nxorën të premten forcat e rendit kudo nëpër vend për të denoncuar fyerjet dhe dëmin në reputacion që ata po durojnë çdo ditë e më shumë.
Në Paris, sindikatat e policëve parkuan automjetet para Harkut të Triumfit dhe marshuan me parullat "Pa polici nuk ka paqe", ndërsa në rrethina e kryeqytetit, oficerët hodhën prangat para rajonit të policisë e të tjerë mbanin fotografi të kolegëve të masakruar në orarin e punës. Protestat erdhën pas takimit me ministrin e Brendshëm francez që synonte të adresonte shqetësimet e sindikatave. Policët në Francë kundërshtojnë edhe një vendim të qeverisë që do e bëjë të paligjshëm përdorimin e teknikave të rrezikshme të neutralizimit kur një subjekt i caktuar refuzon arrestimin. Ndalimi i personave përmes shtrëngimit apo shtypjes së qafës po kërkohet të shpallet i paligjshëm edhe nga shtetet e tjera, pasi e njëjta teknikë e përdorur nga policia amerikane muajin e kaluar do i merrte jetën afro-amerikanit Xhorxh Floid. Rrezikun e saj e pranoi edhe ministri i Brendshëm francez, Kristof Kastaner, ndërsa premtoi tolerancë zero ndaj racizmit në radhët e policisë. "Metoda nuk do mësohet më në shkollat e policisë dhe xhandarmërisë. Edhe nëse një polici apo xhandari do i duhet ta mbajë dikë të shtrirë në tokë gjatë arrestimit, nuk do lejohet të ushtrojë presion në qafën e tij apo të saj." Grupet për të drejtat e njeriut në Francë thonë se prej vitesh nuk trajtohen ankesat e tyre për oficerët e dhunshëm apo me sjellje raciste. Kryeministri i vendit, Eduard Filip, të enjten i deklaroi Senatit se policia dhe xhandarmëria franceze nuk duhen quajtur kurrsesi institucione raciste, pasi të dyja monitorohen më rreptësisht se shumë organe të tjera të vendit.