Pheniani: Trump ta harrojë takimin me Kim
Koreja e Veriut bëri kritika të ashpra ndaj Shteteve të Bashkuara të Premten, 12 Qershor, duke akuzuar Uashingtonin për hipokrizi dy vjet pas takimit historik të Singaporit midis Presidentit të SHBA Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong -un.
Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Ri Son Gwon ka akuzuar Uashingtonin për hipokrizi dhe se është duke kërkuar të rrëzojë regjimin e Koresë së Veriut, duke thënë se shpresat e krijuara në vitin 2018 ishin "shndërruar në një makth të errët". "Asgjë nuk është më hipokrite sesa një premtim mashtrues," denoncoi z. Ri në një deklaratë të publikuar nga agjensia zyrtare KCNA. Kreu i diplomacisë së Koresë së Veriut tha se përparimi diplomatik nuk mund të mbështetet "thjesht në ruajtjen e marrëdhënieve personale midis liderit tonë dhe presidentit amerikan". "Ne kurrë më nuk do t'i sigurojmë liderit amerikan një paketë që ai mund ta përdorë për përfitime politike në skenën ndërkombëtare, pa marrë asgjë në këmbim," tha ai. "Shpresa për përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, e cila ishte shumë e lartë nën sytë e tërë botës dy vjet më parë, tani është shndërruar në dëshpërim, e karakterizuar nga një përkeqësim me shpejtësi të lartë i marrëdhënieve " , vlerësoi ministri koreanoverior.