Frika nga përhapja e virusit korona në Kinë
Në Kinë po shtohet frika e përhapjes së një vale të dytë të koronavirusit të ri. Pekini ka pezulluar një sërë aktivitetesh pasi në dy ditët e fundit raportohen infeksione të reja në qytet.
Kryeqyteti kinez është në gjendje gatishmërie thuajse luftarake pas episodeve të reja me koronavirus. Pasi kaloi rreth dy muaj pa asnjë rast, të enjten kryeqendra kineze raportoi rastin e parë ndërsa një ditë më parë numri i të infektuarve u rrit në 11 në rang vendi, 6 prej tyre në vetëm në Pekin. Kryeqyteti vendosi të shtunën të ndalojë turizmin, eventet sportive, rihapjen e shkollave fillore nga dita e hënë dhe grupimet e njerëzve për raste drekash dhe darkash. Autoritetet gjithashtu mbyllën dy nga tregjet lokale të shumicës që ishin vizituar nga personat e infektuar ditët e fundit për arsye dezinfektimi të plotë. 10 mijë persona të tregut pritet të testohen për kovid pasi inspektimet atje dëshmuan për mbetje të koronavirusit në tavolinat që përdoren për prerjen e peshkut salmon. "Nga vlerësimet paraprake mund të sugjerojmë se rastet në fjalë kanë pasur kontakt me një mjedis të infektuar të tregut, ose janë prekur nga kontakti me njerëz të infektuar. Nuk i përjashtojmë rastet e reja në të ardhmen." Qytetarët e Pekinit janë optimistë por ekziston frika për kthimin e një vale tjetër epidemike. "Jam pak i shqetësuar sepse rastet janë afër meje por gjërat do kthehen si më parë. Duhet thjesht të kujtojmë të mbajmë maska kur hyjmë e dalim nga diku, dhe të matim temperaturën." "Personat që kanë pasur kontakt të ngushtë me rastet përkatëse duhet ndoshta të vetëkarantinohen." Koronavirusi u raportua fillimisht fundvitin e kaluar në një treg frutash deti në qytetin e Uhanit, dhe deri tani në Kinë ka infektuar mbi 83 mijë persona nga të cilët më shumë se 4,600 veta nuk i kanë mbijetuar sëmundjes infektive.