Shtohen viktimat e Covid-19 në Amerikë
Numri i viktimave nga virusi Covid-19 në Amerikë ka shkuar në 118 mijë njerëz.
Gjithsej numri i të infektuarve me virusin korona në Amerikë është 2 milion e 182 mijë e 949 njerëz nga të cilët 118 mijë e 283 kanë humbur jetën. Autoritetet amerikane hoqën autorizimin emergjent për ilaçin hidroksiklorokuinë që është reklamuar shpesh nga Presidenti Trump si kurë kundër COVID-19, pasi ka prova në rritje se ilaçi nuk funksionon dhe mund të ketë efekte anësore vdekjeprurëse. Administrata amerikane për Ushqimin dhe Ilaçet thotë se ilaçi nuk duket se ofron efekte kuruese për koronavirusin. Duke cituar raporte për probleme zemre, agjencia tha se përfitimet ende të pavërtetuara nuk tejkalojnë “rreziqet e njohura dhe të mundshme”. Ky ilaç dhe klorokuina, të cilat përdoren për artritin reumatizmal dhe lupusin, shkaktojnë aritmi, në disa raste ulin shumë tensionin dhe mund të dëmtojnë indin muskulor apo nervat. Njoftimi i Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve nënkupton se rezervat e blera nga qeveria federale nuk do të shpërndahen më nga autoritetet shtetërore e lokale, si masë kundër koronavirusit. Ilaçet do të vazhdojnë të shiten për përdorime të tjera, por jo kundër COVID-19. Presidenti Trump ka përsëritur disa here në fillimet e pandemisë bindjen e tij për vlera mbrojtëse nga ilaçi. Administrata për Ushqime dhe Ilaçe miratoi status emergjent për këtë medikament për përdorim kundër COVID-19, ndërkohë që qeveria federale pranoi 30 milionë doza të hidroksiklorokuinës dhe klorokuinës që u dhuruan nga dy kompani të huaja. Agjencia rregullatore tha të hënën se e kishte hequr autorizimin pas konsultimeve me Autoritetin për Kërkime të Avancuara Biomjekësore.