Pheniani shkatërron zyrën koordinuese për çështjet ndërkoreane
Një zyrë për marrëdhëniet ndërkoreane e shkatërruar nga Pheniani ka rindezur tensionet në gadishullin korean. Koreja e Veriut ka hedhur në erë një nga zyrat koordinuese që ndërmjetësonte çështjet fqinjësore me Korenë Jugore, duke përshkallëzuar më tej tensionet në gadishullin korean.
Koreja e Jugut njoftoi të martën se zyra ndërlidhëse e ngritur në 2018-n në qytetin e Kaesongut për të lehtësuar bashkëpunimin mes dy Koreve u shpërthye nga Pheniani në orët e pasdites.
Më herët, ishte e motra e udhëheqësit koreanoverior, Kim Xhong-Un, ajo që ashpërsoi retorikën ndaj atij që quajti armik jugor, duke rifortifikuar ushtarakisht zonën kufitare të çarmatosur paqësisht mes dy Koreve.
Shkak për tensionet fqinjësore u bënë fletushkat propagandistike që grupe disidentësh të arratisur nga Koreja e Veriut nisën të shpërndajnë fundmuajin e kaluar kundër regjimit të Phenianit.
Tullumbacet e lëshuara nëpërmjet kufirit jugor përmbanin përveç pamfleteve antiqeveritare, edhe ushqime, kartëmonedha 1-dollarëshe, radio dhe karta kompjuterike me filma dhe lajme të huaja.
"Mendoj se ka ardhur koha t'i shkëputim të gjitha lidhjet me autoritetet koreanojugore. Plehrat duhen hedhur në kosh," deklaroi Kim Jo-Xhong, gruaja më e pushtetshme në Korenë e Veriut.
Vetëm një ditë më parë, dy Koretë festuan 20-vjetorin e firmosjes së Deklaratës së Përbashkët mes dy liderëve të kohës për të përmirësuar raportet dypalëshe.
Të dyja Koretë janë teknikisht në luftë me njëra-tjetrën pasi në konfliktin e messhekullit të kaluar nuk mundën të arrijnë një marrëveshje për paqe.
Presidenti koreanojugor, Mun Xhae-In, kërkoi të martën të vijohet dialogu mes palëve.
"Besimi mes Veriut dhe Jugut është i rëndësishëm dhe duhet ushqyer nëpërmjet dialogut të pareshtur. Ne apelojmë Korenë e Veriut të mos ia mbyllë derën dialogut, t'i kalojmë pengesat."
Diplomatët në Kinë dhe Japoni të martën deklaruan se po monitorojnë situatën në gadishullin korean, dhe bënë thirrje për paqe dhe stabilitet ndërmjet dy Koreve.
Koreja e Veriut mbetet thuajse plotësisht e izoluar ndërkombëtarisht për shkak të sanksioneve ekonomike që aplikohen nga Uashingtoni për shkak të armatimit bërthamor që vendi disponon.