BE ashpërson tonin ndaj Kinës
Paralelisht me miratimin e një projekt-rezolute të paraqitur nga Trojka Evropiane (Franca, Britania dhe Gjermania) kundër Iranit në Bordin e Guvernatorëve të ANEA, evropianët po futen në një betejë tjetër, këtë herë kundër Kinës, aleat i Iranit.
Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë duke i kërkuar Bashkimit Evropian (BE) të padiste Kinën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë nëse Pekini vendos një ligj të ri të sigurisë në Hong Kong. Parlamenti i bën thirrje BE-së dhe vendeve të saj anëtare të marrin në konsideratë, nëse zbatohet ligji i ri i sigurisë, referimin pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, thuhet në rezolutë. Eurodeputetët gjithashtu u kërkuan liderëve të BE-së të marrin në konsideratë sanksione të mundshme ekonomike kundër Kinës. Ministrat e jashtëm të grupit G7 lëshuan një deklaratë të përbashkët të Mërkurën duke i kërkuar Pekinit të hiqte dorë nga përpjekja për të futur një ligj të ri të sigurisë kombëtare në Hong Kong, për të cilin ata thonë se është një largim nga principi një vend, dy sisteme. Duke reaguar ndaj miratimit të rezolutës së Parlamentit Evropian, zyra e komisariatit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës në rajonin special të Hong Kongut shprehu mospranimin dhe kundërshtimin e saj të fortë për ndërhyrjen në punët e brendshme të Hong Kongut dhe në çështjet e brendshme të Kinës, njoftoi agjensia kineze e lajmeve Xinhua. Në lidhje me këtë çështje udhëheqësit e BE dhe kryeministri kinez kanë planifikuar të zhvillojnë një video konferencë të hënën.