Edhe Facebook heq postimin elektoral të Trump
Rrjeti social Facebook ka hequr një postim elektoral të presidentit amerikan për shkak si ishte në kundërshtim me rregullat e këtij rrjeti social.
Zyrtarë të kompanive amerikane Facebook, Google dhe Twiter deklaruan para Komisionit të Sigurimit në dhomën e ulët të Kongresit se teksa vendin e ndajnë rreth 4 muaj e gjysmë nga gara elektorale, ata nuk kanë vërejtur ndërhyrje të koordinuara nga aktorë të jashtëm.
Facebook mësohet se punëson rreth 35 mijë persona vetëm për çështjet e sigurisë, dhe me rastin e zgjedhjeve, 40 ekipe të ndryshme janë dedikuar për mbarëvajtjen e procesit.
Megjithatë politikanët vendës kryesisht ata republikanë në krahun e presidentit amerikan Donald Trump thonë se ndjehen të diskriminuar pasi rrjetet sociale në shumicë favorizojnë zërat demokratë.
"Ne i renditim mesazhet sipas prirjes për manipulim sepse shohim se as njerëzit nuk duan të rendin pas ideve që krijojnë përçarje. Për shembull, nuk rekomandojmë ato llogari që ndajnë gjithë kohën informacione të linjave të caktuara vetëm të marrë më shumë klikime. Algoritmet tona përkrahin debatin dhe bisedat publike."
Sipas përfaqësuesve të Twiterit, ajo që vërehet në rrjetet sociale është kthimi i tyre në platforma manipuluese nga agjencitë shtetërore apo vetë qeveritë.
Debati për rolin e rrjeteve është intensifikuar në SHBA, pasi si Twiter, edhe Facebook, disa herë i kanë etiketuar mesazhet e presidentit amerikan Trump për pasaktësi dhe përçarëse për publikun.
Rastet më të fundit janë fshirja e postimit me simbole të nazizmit dhe e një videoje të manipuluar që ekipi elektoral i presidentit amerikan dhe ai vetë hodhën një ditë më parë në të dyja mediet sociale.
Nga ana e tij, kreu i shtetit i ka akuzuar gjigantët amerikanë të internetit për censurë teksa afron gara presidenciale, duke paralajmëruar edhe ndërmarrjen e politikave përkatëse.