SHBA: Nuk kërkojmë që Asad të japë dorëheqjen
Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë që Presidenti Sirian Bashar Asad të japë dorëheqjen, por përkundrazi dëshiron që ai të ndryshojë sjelljen e tij, tha të hënën Përfaqësuesi Special i SHBA në Siri, James Jeffrey.
"Ne nuk po kërkojmë fitore totale. Ne nuk po themi që Asadi duhet të shkojë. Ne po themi që Asadi duhet të ndryshojë, ose kushdo që është në krye të asaj qeverie, duhet të ndryshojë sjelljen e tij," tha Jeffrey. "Po ashtu ne nuk po themi se rusët duhet të shkojnë." I dërguari amerikan në Siri shtoi se Uashingtoni nuk po synon për "ndryshimin e regjimit" në Siri, duke theksuar se i takon popullit sirian të zgjedhë se kush do të drejtojë vendin e tyre. Çështja e tërheqjes së trupave amerikane nga Siria nuk është në tryezë aktualisht, tha Jeffrey. "Presidenti Trump në mënyrën e tij po flet për tërheqje, për shembull, nga Afganistani dhe e bëri të qartë se përfundimisht do të tërhiqemi nga Siria. Por asgjë nuk është në tryezë deri tani, "tha Përfaqësuesi Special i SHBA në Siri, James Jeffrey.