Amerika deklaron gatishmërinë për negociata për traktatin "Qiejt e Hapur"
Pas vendimit për largimin e Amerikës nga traktati "Qiejt e Hapur" dhe shqetësimeve të Rusisë në lidhje me këtë çështjeje, Uashingtoni tani po deklaron gatishmërinë e vet për negociata dhe gjetjen e një rrugëzgjidhje për këtë traktat.
Agjencia e lajmeve TAS njoftoi se Departamenti Amerikan i Shtetit ka deklaruar se Amerika është e gatshme për bashkëpunim me Rusinë në kuadër të gjetjes së një rrugëzgjidhje për traktatin "Qiejt e Hapur".
Autoritetet e larta të qeverisë së Amerikës të cilët kanë akuzuar Rusinë për shkeljen e këtij traktati, ditën e enjte kanë thënë se Uashingtoni në gjashtë muajt e ardhshëm në mënyrë zyrtare do të dalë nga ky traktat.
Ndërkohë zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë filluan të hënën në Vjenë bisedime dy ditore rreth arsenalit të tyre bërthamor pas një pauze prej më shumë se një viti. Ata nuk bënë asnjë deklaratë përpara takimit që nisi në Vjenë në orën 8:30 të mëngjesit me orën lokale.
Gjatë administratës së Trump, SHBA është larguar nga disa traktate ndërkombëtare dhe me Rusinë, përfshirë të ashtuquajturin Traktati i Qiejve të Hapur si dhe ai mbi Armët Bërthamore me rreze të Mesme Veprimi.
Delegacioni amerikan udhëhiqet nga i dërguari special presidencial për kontrollin e armëve ambasadori Marshall Billingslea ndërsa Moska udhëhiqet nga zëvendës ministri i Jashtëm Sergej Ryabkov. Palët do të diskutojnë tema mbi të cilat kanë rënë dakord paraprakisht e që lidhen me të ardhmen e kontrollit të armëve, njoftoi javën e kaluar Departamenti Amerikan i Shtetit.