Trump nuk është informuar për komplote ruse në Afganistan
https://parstoday.ir/sq/news/world-i98182-trump_nuk_është_informuar_për_komplote_ruse_në_afganistan
Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Donald Trump nuk është informuar më parë se ekzistojnë raporte të zbulimit amerikan që, sipas një gazete amerikane, tregojnë se shërbimet inteligjente ruse u kishin ofruar shpërblime ekstremistëve që kanë lidhje me Talebanët për të vrarë ushtarë amerikanë në Afganistan.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Qershor 28, 2020 16:55 Europe/Tirane
  • Trump nuk është informuar për komplote ruse në Afganistan

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Donald Trump nuk është informuar më parë se ekzistojnë raporte të zbulimit amerikan që, sipas një gazete amerikane, tregojnë se shërbimet inteligjente ruse u kishin ofruar shpërblime ekstremistëve që kanë lidhje me Talebanët për të vrarë ushtarë amerikanë në Afganistan.

“As Presidenti Trump dhe as nënpresidenti Mike Pence nuk janë informuar nëse vërtetë ka raporte të tilla të agjencive amerikane të zbulimit”, tha përmes një deklarate sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, duke iu referuar një artikulli të New York Times të datës 26 qershor. “Ky fakt nuk vë në pikëpyetje meritën e raporteve të zbulimit, por dëshmon pasaktësinë e artikullit të New York Times, që pretendon se presidenti ishte informuar mbi këtë çështje”, tha ajo. Ish-nënpresidenti Joe Biden reagoi pas botimit të artikullit, duke akuzuar presidentin se nuk kishte vepruar. Biden tha se këto njoftime shokuese, nëse janë të vërteta, tregojnë se “Trump e ka ditur prej muajsh” dhe “nuk ka bërë asgjë prej muajsh” madje ka bërë “më keq se asgjë”. Biden i cili pritet të marrë emërimin e Partisë Demokrate si kandidat në zgjedhjet presidenciale, tha se presidenti jo vetëm që ka dështuar të marrë masa ndaj Rusisë, por “ka vazhduar fushatën e tij të turpshme të përuljes para Vladimir Putinit”. Biden premtoi se nëse zgjidhet më 3 nëntor, “do të ketë kosto serioze për Rusinë”. Gazeta New York Times njoftonte se zyrtarët amerikanë të zbulimit kishin arritur muaj më parë në përfundimin se shërbimet inteligjente ushtarake ruse u kishin ofruar shpërblim operativëve që kanë lidhje me Talebanët. Sipas gazetës, e cila citonte në kushte anonimiteti zyrtarë amerikanë që ishin informuar mbi këtë çështje, një njësi sekrete e agjencisë ushtarake ruse të zbulimit (GRU), e cila besohet se është pas një numër tentativash për atentate në Evropë si dhe aktivtetesh të tjera, kishte ofruar vjet shpërblime për sulme që realizoheshin me sukses. Një zëdhënës i udhëheqjes së Talebanëve tha më 27 qershor se ky grup “e përgënjeshtron me forcë” këtë pretendim.