Një dron spiun indian rrëzohet nga Pakistani
Sistemi i mbrojtjes ajrore të ushtrisë së Pakistanit ka rrëzuar një dron spiun të ushtrisë indiane.
Lajmi bëhet i ditur nga agjencia IRNA sipas të cilës sistemi i mbrojtjes ajrore të Pakistanit në vijën kufitare të Kashmirit ka rrëzuar një dron që i përkiste ushtrisë së Indisë. Në deklaratën e lëshuar nga ushtria e Pakistanit thuhet se droni kishte shkelur hapësirën ajrore të Pakistanit dhe është futur brenda territorit pakistanez në kohën e rrëzimit të tij. Ushtria pakistaneze ka thënë se që nga fillimi i vitit 2020 e deri tani ka rrëzuar 9 dronë të ushtrisë indiane. Forcat indiane dhe pakistaneze, shpeshherë futen në konflikte për shkak të pretendimeve për kontrollimin e vijës kufitare të Kashmirit. India dhe Pakistani në vitin 2003 kanë nënshkruar një marrëveshje për armëpushim në vijën kufitare të Kashmirit por ky armëpushim është shkelur disa herë.