Presidenti Trump sulmon protestuesit
(last modified Sun, 05 Jul 2020 05:48:35 GMT )
Korrik 05, 2020 07:48 Europe/Tirane
  • Presidenti Trump sulmon protestuesit

Presidenti Donald Trump i filloi festimet e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Amerikës, me një tubim në Monumentin kombëtar Mali Rushmore, ku iu drejtua turmës me fjalët se fëmijët e tyre po mësojnë në shkollë “të urrejnë vendin e tyre”. Presidenti foli para një turme entuziaste duke këmbëngulur se sulmet nga e majta radikale, siç e quajti ai, duhet të ndalen që të mbrohet mënyra amerikane e jetesës.

Presidenti paralajmëroi pjesëmarrësit në tubim se demonstratat kundër padrejtësisë sociale që janë përhapur në të gjithë vendin pas vdekjes së George Floyd gjatë arrestit, kërcënojnë themelet e qeverisjes amerikane. Zoti Trump sulmoi ashpër “turmat e zemëruara”, duke iu referuar protestuesve që janë përpjekur të heqin simbole që shihen prej tyre si raciste si dhe të rrëzojnë monumente që nderojnë figura të Konfederatës. “Ata duan të rrëzojnë bindjet tona, kulturën dhe identitetin që e kanë bërë Amerikën vendin më dinamik e tolerant në historinë e botës. Bashkëkombasit e mi, amerikanë, ka ardhur koha të ngremë zërin me fuqi dhe të mbrojmë integritetin e atdheut tonë,” tha presidenti. Presidenti iu kundërvu lëvizjes për drejtësi sociale që është përhapur në vend, duke thënë se po bën të kundërtën dhe do të çonte në “shkatërrimin e drejtësisë dhe shoqërisë”: "Ideologjia radikale për të sulmuar vendin tonë ka si parullë drejtësinë sociale. Por në realitet, do të shkatërrojë shoqërinë dhe drejtësinë. Ajo do ta kthejë drejtësinë në instrument të përçarjes dhe hakmarrjes. Do ta shndërronte një shoqëri të hapur e gjithëpërfshirëse në një vend të shtypjes, dominimit dhe përjashtimit. Ata duan të na mbyllën gojën, por ne nuk do të heshtim,” tha presidenti.

Tags