Presidenti i Azerbajxhanit shkarkon ministrin e jashtëm
Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev ka pushuar nga puna ministrin e tij të jashtëm i cili ka shërbyer për një kohë të gjatë në këtë post, pas tensioneve të kohëve të fundit me Armeninë, mbi territorin e Nagorni Karabak.
Presidenti Ilham Aliyev e shkarkoi të enjten diplomatin e tij më të lartë pasi e kritikoi atë për "negociata të pakuptimta" me fqinjin e Kaukazit të Jugut. Sipas dekretit të presidentit, Xhejhun Bajramov, i cili ishte Ministri i Arsimit në Azerbajxhan, u emërua ministri i ri i Jashtëm, duke zëvendësuar Elmar Mamedyarov. Vendimi i Aliyev erdhi një ditë pasi ai kritikoi ashpër Mamadyarov në një seancë qeveritare për qasjen e tij "pasive" në trajtimin e përleshjeve ushtarake vdekjeprurëse që shpërthyen përgjatë kufirit me Armeninë në 12 korrik. "Çfarë po bënte ministri i jashtëm? Ku ishte? Ne ishim të gjithë në punë pas ngjarjeve të 12 korrikut ... dhe unë nuk mund ta gjeja atë," tha Aliyev. Të paktën njëmbëdhjetë ushtarë azerbajxhanas dhe një civil si dhe katër ushtarakë armenë janë vrarë në përleshjet e reja kufitare midis dy ish-vendeve sovjetike që luftuan një luftë në vitet 1990 mbi rajonin malor të Karabakut.