26 shtete amerikane detyrojnë vendosjen e maskave
Kolorado dhe Arkansasi iu bashkuan një numri në rritje shtetesh amerikane që po kërkojnë vendosjen e detyruar të maskave në vende publike si masë për të luftuar rritjen e infeksioneve me coronavirus.
Me njoftimet nga guvernatori demokrat i Kolorados Jared Polis dhe guvernatori republikan i Arkansasit Asa Hutchinson, 26 nga 50 shtete, janë renditur tashmë në krahun e ekspertëve të shëndetit publik të cilët kërkojnë që vendosja e një maske të jenë e detyrueshme, më shumë sesa një çështje zgjedhjeje personale. Rastet e reja me coronavirusit janë rritur në jug dhe perëndim të SHBA pasi zyrtarët lokalë filluan të lehtësojnë masat kufizuese ekonomike dhe sociale që synonin ngadalësimin e përhapjes së virusit. Tridhjetë shtete kanë regjistruar rritje rekord rastesh ditore të konfirmuara këtë muaj, shumë prej tyre më shumë se një herë. 14 shtete kanë raportuar një numër më të madh vdekjesh brenda një dite të vetme në muajin korrik sesa kishin raportuar më parë. Që prej fillimit të pandemisë SHBA ka regjistruar mbi 3.5 milionë persona të infektuar nga coronavirusi dhe 139 mijë të vdekur.