SHBA rrezikon 100 mijë raste të infektuarish në ditë
Eksperti më i lartë amerikan për sëmundjet infektive doktor Anthony Fauci u shpreh i shqetësuar lidhur me rritjen së fundmi të rasteve të reja me koronavirus, veçanërisht në shtetet në jug të vendit.
Gjatë një takimi të organizuar në formën e një telekonference nga Dhoma amerikane e Tregtisë zoti Fauci tha se situata paraqitet e vështirë. Ai tha se ka ardhur koha “që të shohim atë që po ndodh dhe nëse mund t’i intensifikojmë masat me qëllim frenimin e koronavirusit”. Fauci paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara së shpejti mund të përballen me “100 mijë infeksione në ditë nëse nuk përqafojnë më agresivitet masat e distancimit social, vendosjen e maskave dhe masa të tjera”. SHBA ka raportuar 77 mijë raste me coronavirus brenda 24 orëve të fundit, bazuar në të dhënat zyrtare të Universitetit John Hopkins. Kjo shifër ditore shënon rekord global që nga shpërthimi i epidemisë. Fauci tha se vendosja e maskave është tejet e rëndësishme për rihapjen sërish të vendit dhe se “të gjithë” sikurse tha ai “duhet t’i vendosin ato”. SHBA-ja është vendi më i prekur në botë nga coronavirusi, për sa i përket numrit të rasteve dhe viktimave, duke e çuar numrin e përgjithshëm të prekurve në 3.6 milionë, kurse 142 mijë persona kanë ndërruar jetë.