Shtohet numri i viktimave të koronavirusit në Amerikë
Numri i viktimave nga koronavirusi në Amerikë është rritur në 143 mijë e 178 njerëz që nga nisja e përhapjes së virusit e deri tani.
Sipas të dhënave më të fundit të universitetit John Hopkins në 24 orët e kaluara në Amerikë kanë humbur jetën 1 mijë e 186 njerëz të infektuar me virusin korona duke e çuar totalin në 143 mijë e 178 viktima. Ndërkohë po në 24 orët e kaluara numri i të prekurve nga virusi korona është shtuar me 7 mijë e 712 njerëz duke e çuar totalin ne 4 milion e 98 mijë e 290 të infektuar. Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se pandemia Covid-19 në SHBA mund të përkeqësohet para se të përmirësohet. Trump gjithashtu u kërkoi të gjithë amerikanëve të mbajnë maska mbrojtëse për fytyrën, duke thënë ata do të kenë efekt dhe mbajtja e tyre tregon “patriotizëm”. Presidenti, i cili nuk kishte vënë maskë gjatë konferencës, më parë i ka vlerësuar ato si jo sanitare. Kjo ishte konferenca e parë për media e task-forcës së Shtëpisë së Bardhë pasi ato ishin ndërprerë muaj më parë. Konferencat e përditshme të lajmeve në Shtëpinë e Bardhë përfunduan menjëherë pasi Trump sugjeroi në prill se virusi mund të mjekohet duke injektuar dezinfektues te njerëzit. ”Me siguri, fatkeqësisht do të përkeqësohet para se të përmirësohet. Diçka që nuk më pëlqen ta them, por kështu është”, tha presidenti amerikan.