SHBA: Rusia sapo testoi një armë "anti-satelit" në orbitë
Komanda Hapësinore e SHBA ka pohuar se ka gjetur prova që Rusia kohët e fundit kreu një provë të armëve anti-satelitore.
Në një deklaratë të enjten, Komanda Hapësinore e SHBA tha se një satelit rus i njohur si Cosmos 2543 më 15 korrik lëshoi një objekt të ri në orbitë, i ngjashëm me një demonstrim të mëparshëm anti-satelitor të kryer në vitin 2017. Deklarata e përshkroi veprimin si një "provë jo destruktive e një arme anti-satelitore në hapësirë". "Sistemi satelitor rus i përdorur për të kryer këtë provë të armëve në orbitë është i njëjti sistem satelitor për të cilin ngritëm shqetësime në fillim të këtij viti, kur Rusia manovroi pranë një sateliti të qeverisë amerikane," tha gjenerali John Raymond, komandant i Komandës Hapësinore të SHBA dhe Shefi i operacioneve hapësinore të Forcave Hapësinore amerikane. "Kjo është dëshmi e mëtejshme e përpjekjeve të vazhdueshme të Rusisë për të zhvilluar dhe testuar sisteme të bazuara në hapësirë dhe në përputhje me doktrinën ushtarake të botuar të Kremlinit për të përdorur armë që vënë në rrezik asetet e hapësirës amerikane dhe të aleatëve," shtoi Raymond.