Kina urdhëron mbylljen e konsullatës së SHBA
Kina ka urdhëruar mbylljen e konsullatës amerikane në qytetin jug-perëndimor të Chengdu, në shenjë hakmarrjeje për vendimin e Uashingtonit për të mbyllur konsullatën kineze në Houston më herët këtë javë.
Në një deklaratë të Premten, Ministria e Jashtme kineze tha se Pekini kishte revokuar licencën për konsullatën amerikane në Chengdu, duke nënvizuar se masa reciproke ishte një "përgjigje e ligjshme dhe e nevojshme ndaj vendimeve të paarsyeshme të Shteteve të Bashkuara". Ministria në deklaratën e saj shtoi se "Pekini kishte kërkuar ndërprerjen e të gjitha operacioneve dhe veprimeve të Konsullatës së Përgjithshme" në misionin diplomatik të SHBA në Chengdu. "Situata aktuale në marrëdhëniet Kinë-SHBA nuk është ajo që Kina dëshiron, dhe SHBA janë përgjegjëse për të gjitha këto", tha Ministria e Jashtme kineze. Kina paralajmëroi një masë reciproke, pasi administrata e Presidentit amerikan Donald Trump i kishte dhënë Pekinit një afat prej 72-orësh për të mbyllur konsullatën e tij në qytetin Texan të Houston për akuzat e spiunimit. Media shtetërore kineze tha se vendimi i qeverisë amerikane për të mbyllur konsullatën e Kinës në Houston ishte një përpjekje për të fajësuar Pekinin për dështimet e qeverisë amerikane përpara zgjedhjeve presidenciale që zhvillohen në nëntor.