Shtohet numri i të infektuarve në Amerikë
Numri i personave të vdekur nga koronavirusi i ri (COVID-19) në SHBA është rritur në 152.388, prej të cilëve 1.873 kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, transmeton.
SHBA vazhdon të mbetet vendi me numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara dhe të viktimave. Të dhënat nga faqja e internetit "Worldmeter" tregojnë se në 24 orët e fundit, numri i të infektuarve me koronavirus në SHBA është rritur për 65.017, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 4.500.130. Ndërkaq, në mbarë vendin, deri më tani janë shëruar mbi 2,18 milionë të infektuar, ndërsa numri i personave të testuar ka arritur në mbi 55,8 milionë. Aktualisht, shteti i Kalifornisë është më i godituri në SHBA, me afro 475 mijë raste të konfirmuara. Pas SHBA-së, numrin më të madh të të infektuarve e kanë regjistruar Brazili me 2.484.649 raste dhe India me 1.538.899. Zyrtari më i lartë i SHBA për sëmundjet infektive tha se shtimi i rasteve me koronavirus në Florida, Kaliforni dhe disa shtete të tjera amerikane të goditura rëndë mundet që shumë shpejt të arrijë pikun, por pjesë të tjera të vendit duket se janë në prag të rritjes së shpërthimeve. Një shtim i dukshëm i rasteve në Florida, si dhe në Teksas, Arizona dhe Kaliforni këtë muaj ka mbingarkuar spitalet, duke sjellë një prapakthehu në masat për të rihapur ekonomitë dhe duke ngjallur shqetësime se përpjekjet e vendit për të kontrolluar virusin po dështojnë. “Shpërthimet mund të arrijnë pikun dhe pastaj të rikthehen,” tha Dr. Anthony Fauci, kreu i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve infektive. Dr. Fauci tha se ekzistonte një tregues qysh herët, se përqindja e testeve që dilnin pozitive kishte filluar të rritej në shtete të tjera, si Ohajo, Indiana, Tenesi dhe Kentaki. “Kjo është një shenjë e sigurt se duhet të keni kujdes”, tha ai.