OBSH: Të rinjtë paraqesin rrezik për përhapjen e COVID-19
Rritja e ritmeve të infektimeve me koronavirus në shumë vende është “nxitur pjesërisht nga të rinjtë që tregohen më të shkujdesur gjatë stinës së verës në Hemisferën Veriore,” tha të enjten Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Të rinjtë, shumë pa maska, po injorojnë rekomandimet për distancimin fizik, duke mbushur bare, klube nate dhe plazhe që janë rihapur që kur autoritetet hoqën kufizimet e koronavirusit. “Shumica e të rinjve të infektuar kalojnë zakonisht një formë më të lehtë të sëmundjes. Por kjo nuk ndodh gjithmonë,” tha Maria Van Kerkhove, një epidemiologe e OBSH që i quajti klubet e natës “shumëfishues të përhapjes”. Të rinjtë që shfaqin simptoma të buta ose nuk kanë simptoma mund ta përhapin virusin te njerëzit më të moshuar dhe më të rrezikuar.