Erdogan: Do të bisedoj me Merkelin për Greqinë
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se ai do të flasë me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe kreun e Këshillit Evropian, Charles Michel, në lidhje me mosmarrëveshjet e fundit me Greqinë.
Erdogan tha gjatë një takimi të partisë së tij se ai dëshironte që kriza të zgjidhet “përmes dialogut dhe negociatave”, duke akuzuar Athinën për “mungesë vullneti” për të gjetur një zgjidhje, raporton AFP. “Ne gjithmonë kemi kërkuar një zgjidhje në tryezë për problemet me Greqinë. Ne nuk duam të shkelim të drejtat e të tjerëve, por nuk do të lejojmë që një vend tjetër të shkelë të drejtat tona”, tha ai. Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të mërkurën se Franca do të forcojë praninë e saj ushtarake në rajon përmes bashkëpunimit me partnerët evropianë, përfshirë Greqinë. Bisedimet e Erdoganit me Merkel dhe Michel, do të ndodhin përpara një takimi të jashtëzakonshëm të ministrave të jashtëm të BE të premten, ku do të diskutohet kriza mes Turqisë dhe Greqisë. Frika e një skenari për përshkallëzim të tensioneve ka afruar në rajon edhe prezencën ushtarake franceze dhe ndërkombëtare. Franca ka dërguar avionë dhe anije luftarake në Mesdheun Lindor për të ndërhyrë në rast të acarimit të konfliktit që po zhvillohet mes Turqisë dhe Greqisë. Presidenti francez, Emanuel Makron, pas një bisede telefonike me kryeministrin grek, Qirjakos Micotakis, akuzoi Ankaranë se po provokon tensione me operacionet e veta të kërkimit të gazit dhe naftës në ujërat territorialë grekë. Makron i bëri thirrje Turqisë të ndalë veprimet e njëanshme dhe të ulet për dialog.