Anulohen zgjedhjet në Kosovë
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë vendimin për ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me votën e deputetit, Etem Arifi, e cila ishte vendimtare për krijimin e Qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti.
Kosova pritet të shkojë në zgjedhje brenda 40 ditëve, në një kohë që Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar votën e Arifit si të pavlefshme. LDK kishte krijuar qeverinë e re pas rrëzimit nga detyra të Albin Kurtit me një mocion mosbesimi. Pjesë e koalicionit qeveritar u bë edhe AAK dhe NISMA, por duke qenë ende e pamjaftueshme me shifrat në Kuvend. Sakaq Lëvizja Vetëvendosje më 11 korrik 2020, ankimoi në Gjykatën Kushtetuese votën e deputetit Etem Arifi, ku sipas tyre nuk kishte pasur legjitimitet në momentin kur kishte votuar duke qenë se ishte i dënuar nga gjykata me vendim të prerë. Më parë në lidhje me këtë ankimin, Gjykata Kushtetuese zhvilloi një seancë dëgjimore publike, duke mbledhur të gjithë pikëpamjet në lidhje me votën e deputetit Arifi. Arifi është i dënuar me 1 vit e 3 muaj burg për mashtrim.