Sulmi në xhami në Shqipëri, 5 të plagosur, jehonë në mediat ndërkombëtare
Katër nga pesë të plagosurit në xhamin te rruga e Kavajës, pritet të dalin nga spitali dhe vetëm njeri prej tyre do të qëndrojë pak me gjatë për shkak se ka me shumë dëmtime.
Dëmtimet e të plagosurve janë kryesisht në gjymtyrë dhe në kokë. Ndërkohë pritet edhe një komunikatë nga spitali i Traumës lidhur me shëndetin e të plagosurve. Sipas te njohurve të personave të përfshirë në ngjarje, të plagosurve janë goditur 2 herë secili. Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 14:30 të ditës së sotme në xhaminë “Dine Hoxha” ku Rudolf Nikolli, i armatosur me thikë hyri në xhami dhe goditi disa besimtarë të cilët ishin duke kryer rite fetare. Ai u neutralizua dhe arrestua nga policia si dhe është sekuestruar dhe arma e ftohtë thika me të cilën ka plagosur 5 persona. Pas ngjarjes së rëndë reagoi kryetari i KMSH, Bujar Spahiu. Spahiu i kërkoi organeve përkatëse të zbardhin sa më shpejt ngjarjen e cila lëndoi besimtarët në këto ditë Ramazani. Në një artikull të sajin, “Abc” amerikane bën kronologjinë e ngjarjes dhe ve theksin te fakti që në Shqipërinë me shumicë myslimane toleranca mes feve ka qenë shumë e fortë. Policia nuk ka zbuluar ndonjë motiv për sulmin, ndërsa prokurorët po hetojnë çështjen. Ahmed Kalaja, imam i xhamisë, tha se agresori i armatosur sulmoi besimtarët dhe stafin në një kohë kur xhamia ishte mbushur për shkak të muajit të Ramazanit. Shqipëria ka 2.8 milionë banorë, me shumicë myslimane por që janë marrë vesh shumë mirë me katolikët dhe ortodoksët.