Shqipëria voton! Procesi i qetë!
Ora 07:00 e mëngjesit të sotëm, shënoi hapjen e procesit të votimit deri në orën 19:00, kohë në të cilën qytetarët shqiptarë do të vendosin se kush do t’i qeverisë për 4 vitet e ardhshme.
Janë 3,588,869 shtetas shqiptarë me të drejtë vote, të cilët do të hedhin votën e tyre në 5,199 qendra votimi. Krahas partisë apo koalicionit shtetasit me të drejtë vote do të zgjedhin edhe kandidatin që preferojnë. Janë plot 1841 kandidatë për deputetë që garojnë në zgjedhjet parlamentare, 39.76% e të cilave janë gra. Kujtojmë se këto zgjedhje do të zhvillohen në kushtet e pandemisë, ndërsa Komiteti Teknik i Ekspertëve ka hartuar edhe një protokoll të posaçëm. Ndërkohë, ka arritur në 45.49%, numri i qytetarëve që kanë votuar në të gjithë vendin në 1640 Qendra Votimi nga 5199 që janë në total në rang kombëtar. Është Tirana qyteti që kanë votuar më shumë qytetarë të cilët kanë të drejtë vote madje zyrtarisht, me numrat e deritanishëm, kryeqyteti kalon edhe numrin e votuesve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 ku ishte 49.91% pjesëmarrja ndërsa tani ka arritur në 51.58%.