Ndryshimi i kufijve në Ballkan, ide që provokon luftë
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur për “non-paper”-in e publikuar së fundmi në të cilin përshkruheshin ndryshime të kufijve në disa shtete të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën.
Lajçak ka thënë se ideja e rivizatimit të kufijve nuk është diçka e re dhe se ka qenë e pranishme për vite të tëra. “S’dua ti komentoj këto letra. Ideja e rivizatimit të kufijve nuk është ide e re, ka qenë këtu për vite. Unë plotësisht jam kundër një ideje të tillë. Është tërësisht e rrezikshme dhe ide që provokon luftë”, ka thënë Lajçak. Për deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se dialogu s’është top-prioritet për të, Lajçaku ka thënë se “në politikë s’mund të zgjedhësh prioritetet, por ato të zgjedhin ty”. Sipas tij, plani kryesor që duhet të ndjekë Evropa është zgjerimi i saj me pranimin e shteteve të Ballkanit. Duke folur për reciprocitetin, për të cilin tha se më shumë e ka parë si detaj elektoral, Lajçak shtoi se dialogu i lehtësuar nga BE është e vetmja platformë që Kosovën dhe Serbinë e trajton si të barabartë në të gjitha aspektet. “Kosova dhe Serbia janë palë të barabarta dhe njëjtë përfitojnë nga procesi apo njëjtë vuajnë nga mungesa e progresit”, ka thënë Lajçak.