Vuçiq: Besoj në mundësinë e arritjes së kompromisit me Kosovën
Pas vizitës në Kosovë dhe takimet me krerët e institucioneve kosovare Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi Miroslav Lajçak dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, sot po qëndrojnë në Beograd, ku janë takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti serb e ka vlerësuar takimin si të mirë, duke thënë se së shpejti do të vazhdohet dialogu me Kosovën e se beson në mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje kompromisi. “Bisedë e mirë me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Beograd – Prishtinë dhe çështjet tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak dhe me përfaqësuesin special të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer. Së shpejti vazhdimi i dialogut me Prishtinën dhe besoj në një mundësi për arritje të një zgjidhjeje kompromisi”, ka shkruar Vuçiq në Instagram. Edhe kryeministrja serbe Ana Brnabiq ka zhvilluar takim me Zëvendës Ndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer. Një deklaratën e Qeverisë serbe është thënë se kryeministrja Brnabiq ka deklaruar gjatë bisedës se është e nevojshme të zbatohen marrëveshjet e arritura në Bruksel, para së gjithash ajo për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.