Kasapi i Bosnjës nuk i shpëton burgimit për jetë
Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara vendosën të martën të lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
I cilësuar si “kasapi i Bosnjës”, ai u dënua në nëntor të vitit 2017 nën akuzat që përfshinin vrasjen e mbi 8 mijë djemve e burrave në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë, ndër mizoritë më të rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Masakra u krye në një zonë që ishte shpallur e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara. Ratko Mladiç ishte përgjegjës për rrethimin dhe bombardimin e Sarajevës ku u vranë 10 mijë civilë. Masakra e Srebrenicës dhe rrethimi shumëvjeçar i Sarajevës, ishin zhvillimet që kthyen botën kundër serbëve dhe nxitën sulme ajrore të NATO-s, që çuan në përfundimin e luftës me marrëveshjen e arritur ne Dayton të Ohios në Shtetet e Bashkuara, në nëntor të vitit 1995. Ai është fajtor edhe për përndjekjen e myslimanëve dhe kroatëve gjithandej Bosnjës, dhe mbajtjen peng të pjesëtarëve të forcave të Kombeve të Bashkuara. Vendimi i sotëm i apelit shënon edhe përfundimin e ndjekjeve penale të Kombeve të Bashkuara për krimet e kryera në luftën e Bosnjë që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë dhe miliona të zhvendosur. Ratko Mladiç, i akuzuar në vitin 1995 nga Gjykata për Krime luftë në hapësirat e ish Jugosllavisë kishte qëndruar në Beograd në vitet e para pas ngritjes së akuzave ndaj tij, ndërsa ishte fshehur pas rënies së presidentit serb Sllobodan Millosheviç në vjeshtën e vitit 2000. Në maj të vitit 2011 ai u arrestua në një fermë në Serbinë veriore, pas një periudhe trysnie të Bashkimit Evropian mbi Serbinë që aspiron integrimet evropiane.