Kurti deklaron parimet e takimit me Vuçiç, reagon opozita
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se parimet kryesore të tij në dialogun me Serbinë, janë pranimi i realitetit të Kosovës së pavarur nga ana e Serbisë, pranimin e krimeve të Serbisë në Kosovë, barazia e përfaqësuesve në dialog. Krahas kësaj, tha se anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe njohja e pesë shteteve të BE-së, duhet të jenë në marrëveshjen përfundimtare.
Megjithatë theksoi se Kosovës nuk duhet t’i ngutet për arritjen e njohjes së Serbisë, pasi ky nuk ka qenë qëllimi kur është shpall pavarësia.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po debatohet për procesin e deritanishëm të dialogut, Kurti kërkoi konsensus të spektrit politik për këtë temë, derisa edhe renditi gjitha dështimet e deritanishme të dialogut me Serbinë.
“Uniteti i brendshëm është i rëndësishëm për rritjen e pozicionit negociues të Kosovës. Është e rëndësishëm të ndërtojmë konsensus për këtë çështje. Ne jemi duke raportuar në komisione dhe kuvend ende pa filluar dialogu. Unë kam ftuar krerët e opozitës dhe qasjen e dialogut e dini se atë e kam përsëritur disa herë. Unë po flas cilat janë parimet, pranimi i një realiteti të Kosovës së pavarur nga ana e Serbisë, pranimi i krimeve të Serbisë në Kosovën, barazia e përfaqësuesve dhe qytetarit si përfitues përfundimtar janë parimet tona udhëheqëse janë në dialog. Ajo që do të doja të kishim konsensus që mos ta trajtojmë shtetin tonë si pengë i mosmarrëveshjes me Serbinë”, tha ai.
Kurti tregoi edhe synimin përfundimtar të arritjes së marrëveshjes me Serbinë.
“Është tejet e rëndësishme që palët e përfshira në bisedime të dizajnojnë që në start komponentët e procesit që garantojnë konvergjencën drejtë synimit përfundimtar. Kjo duhet të përfshijnë kornizat makro mbi elementet përbërëse të marrëveshjes. Për shembull njohjen reciproke, njohjen nga pesë shtetet e BE-së, anëtarësimin në OKB, mbrojtja reciproke e komuniteteve repsketive, mekanizma monitorues, afatet kohore dhe të ngjashme. Palët në tavolinë duhet të ndihen të barabarta në secilën fazë të bisedimeve. Marrëveshjet e arritura për çështje të pazgjedhura duhet të kalojnë edhe testin e përshtatshmërisë në normat ligjore dhe standardet e BE-së”, tha ai.
Duke kritikuar marrëveshjet e deritanishme, Kurti tha se pala serbe në vazhdimësi ka minuar përpjekjet e përbashkëta për sukses.
“Pala serbe në vazhdimësi ka minuara përpjekjet e përbashkëta për sukses. Kjo vërehet tek një pjesë e madhe e marrëveshjeve. Si përshembull te energjia, menaxhimi i integruar i kufirit, shuarja e strukturave paralele, liria e lëvizjes, vulat doganore, përfaqësimi rajonal dhe të ngjashme...Pse të ngutemi, kur është shpallur pavarësia, askush nuk e ka menduar njohjen nga Serbia. Pse kjo varësi e Kosovës së pavarur nga njohja e pavarësisë sonë nga Serbia. Nuk është shpallur pavarësia se varësia e dikurshme nga Serbia të zëvendësohet me varësinë e shtetit tonë nga shteti i Serbisë”, tha ai.
Derisa edhe tregoi dëmin që ish qeveritë e kaluara ia kanë shkaktuar Kosovës në dialog me Serbinë.
“Dënimi që është shkaktuar nga qeveritë paraprake është se 22 shtetet e BE-së që e njohin republikën tonë, sot duhet t’i nënshtrohen vullnetit të pesë shteteve anëtare. Në njëfarë mënyre, sikletin dhe hallin që e kishte BE me këto pesë shtete iu hoqëm ne me vendosjen e fusnotës për vetën ne. Kështu e hoqëm edhe presionin e brendshëm nga shumica e shteteve anëtare”, u shpreh Kurti.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhajnë seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet lidhur me ecurinë e deritanishme të procesit të dialogut me Serbinë tha se Qeveria Kurti e ka shumë të gabuar qasjen në dialog pasi që javën e ardhshme kryeministri Kurti po shkon në Bruksel pa platformë, pa strategji dhe pa parime.
Hoxhaj tha se ka pritur që në këtë seancë të flitet për një platformë me të cilën kryeministri do të shkojë në dialog.
“E keni shumë gabim qasjen në dialog sepse po shkoni javën e ardhshme pa platformë në dialog, pa koncept, pa strategji dhe pa parime. Po shkoni në dialog duke i shkelur zotimet e juaja që nuk do tw shkoni pa kërkuar familje Serbia, pa u gjetur (i zhdukuri) i fundit nuk do shkoni në dialog, pa i paguar Serbia dëmet luftës, janë krejt platforma e juaj në 10 vitet e fundit. Keni thënë që nuk do tw shkoni në dialog pa i anuluar marrëveshjet, silli në Kuvend anuloi marrëveshjet, votat i ke, silli në Kuvend anuloi marrëveshjet. Në 2017 keni thënë se do e dërgoni në Komision të Venecias Asociacionin atëherë i thoshit ‘Zajednicë’ tash po i thoni Asociacionit, dërgojeni. Kur do e dërgoni? Ju e keni ndërtuar karrierën politike duke na thënë neve në këtë sallë ‘tradhtar’ e duke hedh gaz lotsjellës”, tha ai.
Lidhur me deklarimin e kryeministrit Kurti se tashmë po nis një dialog i ri, Hoxhaj tha se ky dialog është vetëm një foto në Bruksel në mes të Kurtit dhe Vuçiqit.
Ai tha se qeveria aktuale e ka nisur dialogun duke iu nënshtruar Serbisë.
“Sot nuk e tha por po e thotë në rastet e tjera se ka dialog të ri, nëse ka dialog të ri ju duhet ta dini deputet të nderuar se kur ka dialog të ri ky duhet ta sjell komplet një platformë të re në Kuvend me qëllime të reja, me ndërmjetës të ri, me afate të reja kohore dhe me rezultate. Nëse ka dialog të ri sille platformën në Kuvend mos bë hajgare, mos u tall me këtë temë. Dialogu i ri është një foto e Albinit me Vuçiqin javën e ardhshme, dialogu i ri është ajo që keni parë dje në kampusin e Universitetit të Prishtinës dhënia e statusit special për Kishën Ortodokse, për këtë temë do të duhej të diskutonim ne sot. Ju po shkoni në dialog jo për njohje të ndërsjellë, por po shkoni në dialog që t’i normalizoni raportet me Serbinë. Ne po presim prej jush që të tregoni a do kemi njohje të ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë, a do na njohin pesë vendet e BE-së, a do na anëtarësohemi në OKB a do anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare dhe NATO. Dialogun e keni nisur gabim dhe duke iu nënshtruar Serbisë mblidhe veten, mendoje mirë, në këtë Kuvend në jetën politike ke bërë filma që 15 vite tash ata skenarët që ke parë në kokën tënde”, tha ai.
Enver Hoxhaj tutje ka thënë se dialogu nga pala kosovare nuk është fare i përgatitur në aspektin politik dhe as në atë diplomatik.
“Dialogu nuk është i përgatitur politikisht fare, sot kur e dëgjova kryeministrin duhet ta dinë qytetarët se dialogu nuk është i përgatitur në rrafshin diplomatik, ky do të duhej të na tregonte se sa letra i ka dërguar në cilat kryeqendra para se të shkojë javën e ardhshme në Bruksel, këtë punë e kemi bërë çdo herë. Sot kur e dëgjova dialogun kuptova që jemi të papërgatitur (në mënyrë) përmbajtjesore. Çka kemi marr dje nuk është asgjë veç se janë raportet vjetore të Edita Tahirit dhe atë raport e keni plagjiaturë dhe e kisha thirrur Rron Gjinovcin ta shikojë atë sistemin e tij sesa paragrafë i dalin plagjiaturë“, tha ai.
Seancën e sotme madje u.d i kryetarit të PDK-së e ka quajtur si një seminar veror ku kafja shërbehet pa para dhe uji pa gaz.
“Shumë të nderuar pjesëmarrës të kësaj shkolle verore, mirë se keni ardhur në këtë seminar, e kemi sjell një strateg gjeopolitik zotërinë Kurti, dhe besoj që keni pasur një prezantim të shkëlqyeshëm ujin e keni pa gazë e kafet i keni pa para. Mirë se keni ardhur në këtë seminar. Unë e dëgjova me shumë vëmendje fjalën e zotëri Kurti dhe ka menduar që një kryeministër që ka marr 50 për qind të votave që ka marr mandatin dhe besimin e plotë do sillej këtu me rezon shtetëror dhe në përputhje me atë do bisedonin për dialogun. Duhet t’i themi mënyra se si ka folur sot për dialogun kësaj i thonë sharlatanizëm, papërgjegjësi, sjellje joserioze, dhe jodinjitoze sinqerisht cinik dhe fraza hipokrite”, tha ai.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka pyetur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se prej kujt po fshehet që nuk po mund të krijojë një qëndrim të tij para takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiqi. Ai ngriti si pikëpyetje se Kurti mos po fshehet nga Serbia apo edhe nga Amerika.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj kërkoi që krerët e institucioneve të Kosovës nga Amerika të kërkojnë një përfaqësues të posaçëm në dialog.
“Prej kujt tjetër po fshihet kryeministri ynë ,a mos po fshihet edhe pse Serbisë mos Serbia për një arsye të caktuar ka ndonjë fuqi mbi kryeministrin tonë i cili nuk i lejon vetëm me marr qëndrim në këtë moment kritik para takimit me presidentin e Serbisë, me i sqarua pastër qëndrimin e Kosovës, të tija dhe tona. A mundet që kryeministri po fshehët prej aleatëve ndërkombëtarë që e kanë sjell në pushtet ishte shumë domethënëse një deklaratë e një eutodeputet që pyet kryeministrin e Kosovës se mos po i ndërron parimet...A ka mundësi që kryeministri ynë po i ik Amerikës, që po fshehët prej Amerikës ka një kohë të gjatë që nuk e dëgjojmë kryeministrin e Kosovës risi është që kryeministri i Kosovës mos me i fillua diskutimet e me u përmbyllur kur flitet për çështje jetike për vendin tonë me Amerikën....Si guxon kryeministri i Kosovës me shkuar në takime pra që janë nën patronatin e BE për pavarësinë e vendit të vetë dhe vetë deklaron që pesë jo njohësit kanë arritur me i bind të gjithë njohësit tjerë për një pozicion të dyshueshëm të tyre ndaj Kosovës, pra shkon pa Amerikën. Pse kryeministri i Kosovës nuk i drejtohet presidentit amerikan së bashku me presidenten dhe kryeparlamentarin qoftë edhe me -partitë tjera me i kërkua një emisar special për dialogun Kosovë-Serbi”, tha ai.
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka këshilluar pasardhësin e tij Albin Kurti që kur të flet për dialogun mos t’i drejtohet Kosovës si palë të përfshira, por të shpjegoj kur është Kosova në këtë raport.
“Pse kryeministri duhet të thotë palët, fol vetëm për vete ti je një palë, fol për Kosovën sepse je një plalë specifike mos thuaj palët në dialog duhet me shkua në këta parametra, fol vetëm për vete shihe kënd e ke përballë ulur ke pjesëtar të viktimave të luftës, ke pjesëtar të familjeve viktimë fol për vete mos fol si palë me Serbinë vetëm shpjego kush është Kosova si palë që ta dëgjojnë të huajt dhe evropianët”, tha ai.