Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç
Bashkimi Evropian njofton zyrtarisht takimin mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç
Bashkimi Evropian zyrtarisht ka njoftuar për takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç.
Sipas një njoftimi të BE-së, takimi do të realizohet të martën më 15 qershor në Bruksel, ndërsa pjesëmarrës do të jenë kreu i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe i ingarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak. “Të martën, 15 qershor, një takim i nivelit të lartë i Dialogut Beograd-Prishtinë do të zhvillohet në Bruksel. Do të lehtësohet nga Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, i cili mbështetet nga Përfaqësuesi Special i BE Miroslav Lajçak. Do të marrin pjesë Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Do të ketë një deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë në fillim të takimit dhe një deklaratë për media nga Përfaqësuesi Special i BE pas përfundimit të takimit (rreth orës 13:00). Deklaratat do të transmetohen në EbS dhe do të ndahen me shkrim në faqen e internetit të EEAS”, thuhet në njoftimin e BE-së. Për dialogun gjatë vizitës së fundit në Kosovë kanë folur edhe i ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë Serbi Miroslav Lajçak dhe zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit Mathew Palmer, raporton Kosova Press. Ata thanë në Prishtinë se BE dhe SHBA mbesin të përkushtuara në dialogun Kosovë-Serbi, me qëllimin final arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Sa i përket qëllimit final të marrëveshjes Kosovë-Serbi, përfaqësuesi i SHBA Mathew Palmer ishte i drejtpërdrejtë. Sa u përket kompromiseve të mundshme në dialogun Kosovë-Serbi, që do të çonin drejt arritjes së një marrëveshjeje finale, Palmeri tha se për “kompromise u takon palëve që të diskutojnë dhe të vendosin”. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka paralajmëruar se takimi me presidentin serb Aleksandër Vuçiç nuk do të jetë për dialogun e moçëm, por diskutim për formatin e bisedimeve për të ardhmen./euronews/