Kurti shpalos katër propozimet që pati në takim me Vuçiçin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas takimit që pati në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësim të përfaqësuesve evropianë, Joseph Borrell dhe Miroslav Lajçak.
Kurti tha se Kosova do të marrë pjesë në procesin e dialogut, të cilin e cilësoi si të vështirë. Në takimin e sotëm, ai tha se pala kosovare ka dhënë propozime të reja, ndërsa pala serbe ka vazhduar me propozimet e vjetra. “Fillimisht kam propozuar marrëveshjen sipas medelit të SEFTA-s. Propozimi i dytë ishte për nënshkrimin e një deklarate për paqe, në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku zotohemi se nuk do ta sulmojmë njëra-tjetrën dhe kështu do të kontribuojmë për paqen në rajon. Propozimi i radhës ishte për çështjen e të pagjeturve, duhet të largohen nga delegacioni serb disa emra, të cilët kanë qenë udhëheqës famëkeq në vitet e 90-ta. Deri më tani janë gërmuar vetëm 5 varreza masive, ndërsa janë edhe 11 të tjera që ende s’është bërë gjë për to. Propozimi i katërt ishte për reciprocitetin bilateral”, tha Kurti. Ai bëri të ditur se takimi i radhës në Bruksel pritet të zhvillohet para pushimit të verës, diku më 25 korrik.