Venecia
Zgjedhjet lokale në Venecia
Gjykata Kushtetuese ka reaguar publikisht duke shpjeguar arsyet se pse zgjodhi t’i drejtohej për opinion ekstra Komisionit të Venecias për pretendimet e palëve mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.
Ky organ e ka cilësuar padinë e Shoqatës së Bashkive për zgjedhjet, si të një natyre unike, ndërsa këshillimin me organet e tjera të specializuara, siç është Komisioni i Venecias e sheh si veprim të domosdoshëm. “Gjykata Kushtetuese i është drejtuar edhe më parë Komisionit të Venecies, si një organ i specializuar i Këshillit të Evropës me ekspertizë të thelluar në të drejtën kushtetuese dhe me një kontribut të çmuar në veprimtarinë e kësaj Gjykate në çështjet me rëndësi të veçantë. Çështja mbi procesin zgjedhor të datës 30.06.2019 është e një natyre unike dhe këshillimi me organe të specializuara u konsiderua i nevojshëm nga kjo Gjykatë”, thekson gjykata. Në reagimin e saj, Gjykata Kushtetuese thekson se debati publik i krijuar pas vendimit për t’iu drejtuar Venecias është jokonstruktiv dhe nuk i shërben të mirës publike. “Gjykata konstaton se debati jokonstruktiv i ditëve të fundit jo vetëm që nuk i shërben kësaj klime besimi, por, përkundrazi, mund të perceptohet si përpjekje për ta përfshirë atë në debate me ngjyrime politike, të veshura nën petkun e diskurseve juridike për të paragjykuar vendimmarrjen e saj në lidhje me themelin e çështjes dhe si ndërhyrje në pavarësinë e saj”, theksohet më tej. Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, Shoqata e Bashkive paditi në Kushtetuese zgjedhjet e 30 qershorit duke kërkuar që të shpallen të pavlefshme, për shkak se PD-ja dhe LSI-ja bojkotuan procesin. Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’iu drejtuar Venecias e ka përshëndetur edhe znj. Ademi, e cila në cilësinë e kryetares së Shoqatës së Bashkive beson se do të japë një vendim të drejtë dhe në dobi të qytetarëve. “Kam bindje që GJK do të japë drejtësi për të drejtat e qytetarëve, drejtësi kushtetuese, drejtësi për pluralizëm, drejtësi për shtet dhe pushtet pluralist, drejtësi për çdo institucion aktor dhe faktor që kanë detyrim të zbatojnë Kushtetutën dhe vetëm Kushtetutën”, shkroi mes tjerash Voltana Ademi, ditën kur Gjykata Kushtetuese vendosi t’i drejtohej për opinion Komisionit të Venecias./euronews/