Partitë politike të Kosovës: Asnjë kompromis në marrëveshjen finale me Serbinë
Takimi i radhës mes delegacionit të Kosovës dhe të Serbisë do të mbahet në Bruksel më 25 korrik. Për të arritur një marrëveshjes mes palëve ka një përpjekje të shtuar të presidentit të Francës, Emmanuel Macron i cili më herët ka shprehur besimin në gjetjen e një gjuhe të përbashkët.
Por deputetët e Vetëvendosjes shprehen të bindur se në bisedimet që do të vijojnë në korrik në Bruksel nuk do të ketë tërheqje nga propozimet e para. Deputeti, Artan Abrashi, thotë se Qeveria aktuale nuk do të pranojë asgjë që i sjell dëme vendit. “Na është thënë vazhdimisht se kompromisi i fundit dhe më i dhimbshëm është pako e Ahtisarit. Por për fat të keq, edhe pse ka ekzistuar një opinion i GJND-së, që i dha të drejtë pavarësisë së Kosovës, klasa e papërgjegjshme politike iu nënshtrua një lloj procesi të ri, i cili stagnoi çdo gjë në Kosovë. Çdo gjë tash është peng i vullnetit, apo miratimit të Serbisë, sa i përket Kosovës. Kemi ngecje të njohjeve që ishin duke shkuar shumë mirë. Prandaj ne nuk mund të pranojmë që të vazhdojmë me të njëjtën frymë që i solli pasoja Kosovës. Edhe opozitarët mendojnë se deri më tani Kosova ka pranuar çdo kompromis të kërkuar duke i konsideruar se rrjedhin prej pakos Ahtisari. Tashmë për ta radha nuk është më e Prishtinës. “Kosova duhet ta ruaj sovranitetin e vet, funksionimin e brendshëm dhe çdo marrëveshje të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe marrëveshja të ketë pjesë të saj njohjen reciproke. Pra Kosova ta fitojë ulësen në OKB dhe njohjen nga Serbia. Çdo temë tjetër që diskutohet sot nuk është në interes të qytetarëve të Kosovës”, thotë Betim Gjoshi.