Ministri i shëndetësisë në Kroaci: në mesin e të lënduarve edhe fëmijë
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i111876-ministri_i_shëndetësisë_në_kroaci_në_mesin_e_të_lënduarve_edhe_fëmijë
Ministri i Shëndetësisë së Kroacisë, Vili Berosh ka treguar për gjendjen e të lënduarve në aksidentin që ndodhi mëngjesin e së dielës ku u vetaksidentua një autobus me bashkatdhetarë nga Kosova.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Korrik 25, 2021 16:40 Europe/Tirane
  • Ministri i shëndetësisë në Kroaci: në mesin e të lënduarve edhe fëmijë

Ministri i Shëndetësisë së Kroacisë, Vili Berosh ka treguar për gjendjen e të lënduarve në aksidentin që ndodhi mëngjesin e së dielës ku u vetaksidentua një autobus me bashkatdhetarë nga Kosova.

Berosh ka tregua se në mesin e të lënduarve ka edhe të mitur e që një nga vajzat raportohet të jetë në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Në aksidentin e tragjik humbën jetën 10 persona dhe dhjetëra të tjerë u lënduan.

“Sipas të dhënave te momentit të cilat edhe mund të ndryshojnë, janë aksidentuar 69 persona, 67 pasagjerë dhe dy shoferë, nga ta fatkeqësisht kanë vdekur 10 persona,42 të lënduar janë dërguar në spital në Slavonsko Brod kurse dy janë hospitalizuar në Nova Gradisht. Në Nova Gradisht është një i lënduar i cili ka lëndime të kurrizit, për çka e kemi aranzhuar dërgimin në klinikën e traumatologjisë në Zagreb. Kemi edhe të lënduar rëndë, që janë 15, tre janë në operacion, kurse të tjerët janë duke u diagnostikuar, është e mundur qe edhe ndonjë që është duke u trajtuar të marr diagnozën e të lënduarit rëndë, kështu qe gjithçka është e mundur. Ajo që po e theksoj që në fatkeqësi kanë marrë pjesë edhe 15 të mitur, nga të cilët një vajzë ka lëndime të rënda, kurse të tjerët janë pranuar këtu”, tregoi ai.

Ministri kroat u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave dhe u ka uruar shërim të lënduarve duke thënë se Qeveritë e të dyja vendeve, ajo e Kroacisë dhe Kosovës do të jenë pranë familjarëve.

Për në Kroaci tashmë ka marrë rrugë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me disa nga ministrat e qeverisë.

Ndërsa dyshimet e para janë se për një moment shoferin e autobusit e kishte zënë gjumi.

Zëvendësi i Prokurorit Komunal të Shtetit në Kroaci, Slavko Pranjic, ka thënë se shoferi i autobusit që u aksidentua mëngjesin e sotëm në Kroaci ka deklaruar se e kishte zënë gjumi për një moment gjatë vozitjes.

“Shoferi u arrestua nën dyshimin për drejtimin e automjetetit në mënyrë të papërshtatshme. Cilat janë arsyet për këtë, nuk mund të themi tani për tani,” tha Pranjiç, shkruan portali kroat Dnevnik.hr.

“Ai deklaroi se e zuri gjumi për një moment, por ne do ta përcaktojmë shkakun më vonë,” shtoi Pranjiç.

Sipas të dhënave të fundit të MPJD’së, në këtë aksident kanë vdekur 10 persona, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe 15 prej tyre janë më lëndime të rënda.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), nga komunikimi me autoritetet kroate njofton opinionin publik se nga të dhënat e konfirmuara deri në orën 11:30, si pasojë e një aksidenti tragjik në trafik që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë kanë humbur jetën 10 persona, bashkëatdhetarë, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe prej tyre 15 janë me lëndime më të rënda.

MPJD-ja, do të njoftojë opinionin publik ne kohë reale me të dhënat e tjera të konfirmuara gjatë orëve në vazhdim lidhur me këtë ngjarje tragjike”, thuhet në komunikatë.

Tutje, Ministria u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave, derisa ka thënë se do të jetë e angazhuar në orët në vazhdim për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të lënduar dhe për t’iu asistuar bashkëatdhetarëve dhe familjarëve të tyre në të gjitha procedurat e nevojshme.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, do të jetë e angazhuar në orët në vazhdim për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të lënduar dhe për t’iu asistuar bashkëatdhetarëve dhe familjarëve të tyre në të gjitha procedurat e nevojshme.

MPJD-ja shpreh keqardhje të thellë për humbjen e jetëve të bashkëatdhetarëve tanë, iu shpreh ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimave dhe ju dëshiron shërim të shpejtë të lënduarve.

Gjatë ditës së sotme Ministrja e Punëve të Jashtme znj.Donika Gërvalla, ka zhvilluar bisedë telefonike me homologun e saj kroat Gordan Grlić Radman. Ky i fundit ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe ka siguruar Gërvallën se do të angazhohen të gjitha instancat relevante për t’iu dalë në ndihmë të lënduarve”, thuhet tutje në komunikatë.