Kuvendi nuk e miraton rezolutën për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i112404-kuvendi_nuk_e_miraton_rezolutën_për_zbatimin_e_marrëveshjes_së_uashingtonit
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar që të miratojnë një rezolutë për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, të arritur më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Gusht 06, 2021 09:07 Europe/Tirane
  • Kuvendi nuk e miraton rezolutën për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar që të miratojnë një rezolutë për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, të arritur më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë.

Për rezolutën e propozuar nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës votuan 24 deputetë, ndërkaq 57 abstenuan. Ishin deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ata që abstenuan për miratimin e kësaj rezolute, ndërkaq në sallë ishin 83 deputetë.

Rezoluta ftonte Qeverinë e Kosovës të zbatonte këtë marrëveshje dhe të përgatiste një plan-veprim që do t’i dorëzohej kuvendit. Debati për këtë rezolutë ishte zhvilluar më 7 korrik.

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar që presin nga Kosova dhe Serbia t'iu përmbahen detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Uashingtonit.

Përndryshe, rezolutat e miratuara nga kuvendi nuk janë detyruese, por pasqyrojnë vullnetin politik.

Mosvotimi i rezolutës për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit nuk duhet të shihet si mosvlerësim i rolit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thotë për Radion Evropa e Lirë, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje kundërshton nismën e 'mini-Shengenit' dhe ndarjen e resurseve me Serbinë për Liqenin e Ujmanit.

Në marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë parashihet edhe studimi i fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, që shtrihet në territorin e Kosovës dhe Serbisë. SHBA-ja prezantoi më 23 qershor studimin e fizibilitetit, për menaxhimin e burimeve ujore të këtij liqeni, ku u tha se çështja e Ujmanit të rregullohet sipas traktatit të lumit Kolumbia.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës kur u debatua për rezolutën tha se Liqeni i Ujmanit është i Kosovës.

“Liqeni i Ujmanit, liqe artificial nga Kosova, i Kosovës. Ne do t’i përdorim të gjitha argumentet në këtë studim të fizibilitetit të publikuar së fundmi, për ta mbrojtur këtë pasuri të Kosovës nga çfarëdo pretendimi”, deklaroi Kurti.

Ndërkaq, sa sipas Kurtit, efekti i parë i Marrëveshjes së Uashingtonit, ishte në të mirë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Efekti i menjëhershëm nuk kishte qenë ajo që ndodhi pas nënshkrimit, ajo që i parapriu nënshkrimit, e kjo është hapja e portës së Shtëpisë së Bardhë për presidentin e Serbisë”, deklaroi Kurti më 7 korrik, shkruan /REL/