Kosova do të hapë shkollat më 1 shtator
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i112532-kosova_do_të_hapë_shkollat_më_1_shtator
Më 1 shtator, Kosova po përgatitet të fillojë vitin e ri shkollor me prezencën fizike të nxënësve.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Gusht 09, 2021 05:37 Europe/Tirane
  • Kosova do të hapë shkollat më 1 shtator

Më 1 shtator, Kosova po përgatitet të fillojë vitin e ri shkollor me prezencën fizike të nxënësve.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, thotë se parakusht për këtë plan është vaksinimi i mësuesve. Qeveria nuk e përjashton kryerjen e vaksinimit me detyrim për ta, që tani është vullnetar. “Andaj unë shpresoj, pres dhe besoj që deri në fillim të vitit të ri shkollor mësimdhënësit do të jenë të vaksinuar së paku me dozën e parë të vaksinës, ashtu që të mos kemi ndonjë shqetësim në lidhje me shëndetin publik dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor, aq më shumë tani me variantet e reja të virusit," tha ajo. Krerët e Drejtorive Komunale të Arsimit në komunat Prishtinë, Istog dhe Rahovec flasin për mësues të vaksinuar në shkallën 30 deri 60 për qind, shumica në kryekomunën e vendit. Për autoritetet, rikthimi i nxënësve dhe i procesit normal mësimor do të varet edhe nga situata epidemiologjike, e cila po vjen e rëndohet. “Ndoshta do të kemi problem vaksinimet e nxënësve sepse prindërit po hezitojnë në disa raste t’i vaksinojnë, përndryshe mësimdhënësit besoj që një pjesë e madhe e tyre deri më 1 shtator do t’i kryejnë të dy pjesët e vaksinimit," tha Shala. “Sa i përket vaksinimit kemi informacion ditëve të fundit që është intensifikuar vaksinimi i mësimdhënësve, do të thotë është rritur interesimi pak më shumë," tha Shoshi. “Deri më tani diku rreth 30 përqind të mësimdhënësve janë të vaksinuar, mirëpo ky proces po vazhdon, nuk ka vaksinim të organizuar por në mënyrë individuale. Nuk ka ndonjë hezitim deri tani," tha Morina. Deri më tani, sipas Ministrisë kosovare të Arsimit, janë vaksinuar kundër covidit-19 më shumë se 12 mijë mësues e pedagogë, drejtorë shkollash dhe punonjës të sektorit, përveçse rreth 300 nxënës dhe mbi 12 mijë studentë. Afro 18 për qind e popullsisë ka marrë të paktën njërën dozë të vaksinës covid-19.