Zjrret në Greqi vazhdojnë të përhapen
(last modified Tue, 10 Aug 2021 05:57:10 GMT )
Gusht 10, 2021 07:57 Europe/Tirane
  • Zjrret në Greqi vazhdojnë të përhapen

Mbi 60 vatra zjarri janë aktive aktualisht në Greqi, ndërkohë që shteti ka vënë në lëvizje të gjithë infrastrukturën civile dhe ushtarake për luftën ndaj flakëve.

Ditën e djeshme, një aeroplan u rrëzua ndërsa përpiqej të shuante një zjarr në Zakynthos . Sipas asaj që transmetoi Mina Karamitrou në OPEN TV, piloti është në gjendje të mirë shëndetësore. Shkaqet e aksidentit janë duke u hetuar. Më herët gjatë ditës, kryeministri grek Kiriakos Micotakis, ka thënë se situata në shtetin fqinj është dramatike dhe ndonëse të gjitha burimet njerëzore dhe materiale janë hedhur në terren katastrofa është e pashmangshme, shkruan ethnos.gr. Dy persona kanë humbur jetën deri më tani në Greqi teksa përpjekjet për të shuar zjarret vijojnë për të njëmbëdhjetën ditë radhazi. Një shtyllë elektrike që ka rënë prej zjarrit i mori jetën një zjarrfikësi vullnetar në moshën 38-vjeçare, në një zonë në veri të Athinës, konfirmuan autoritetet. Presidenti i Dhomës së Tregtisë së Athinës, Konstantinos Michalos, u gjet pa shenja jete pranë uzinës së tij në Krioneri, i cili më pas u transportua menjëherë në spital por pa mundur të shpëtojë. Gjithashtu, dy zjarrfikës janë shtruar në spital në gjendje kritike për jetën. Sipas mediave greke, në total janë 18 të lënduar, shumica prej tyre me probleme me frymëmarrjen dhe me djegie të lehta. Ndërkohë, dy persona janë arrestuar pasi dyshohen për zjarr vënie të qëllimshme.Autoritetet kanë ndaluar hyrjen në parqe dhe pyje për shkak të “rrezikut të madh prej zjarreve”. Të paktën 1,450 zjarrfikës kanë zbritur në terren të shtunën për të luftuar 5 vatra të mëdha zjarri në mbarë vendin. Në ndihmë të tyre janë vënë në dispozicion edhe 82 zjarrfikës nga Franca dhe 100 nga Ukraina. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka premtuar se zonat e prekura nga zjarret do të pyllëzohen sërish. “Kur kjo verë prej makthi të mbarojë, do të rregullojmë të gjitha dëmet sa më parë  të jetë e mundur”, iu tha gazetarëve teksa u zotua “se zonat e djegura do të kenë prioritet për ripyllëzimin”.

Tags