Gati 1200 shtretër, afganët do rrinë 2-3 javë në “Qytetin Studenti”
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i113062-gati_1200_shtretër_afganët_do_rrinë_2_3_javë_në_qytetin_studenti
Afganët do të qëndrojnë përkohësisht në “Qytetin Studenti”, pasi më 1 tetor konviktet do të jenë vetëm për studentët.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Gusht 19, 2021 03:26 Europe/Tirane
  • Gati 1200 shtretër, afganët do rrinë 2-3 javë në “Qytetin Studenti”

Afganët do të qëndrojnë përkohësisht në “Qytetin Studenti”, pasi më 1 tetor konviktet do të jenë vetëm për studentët.

 “Kjo është një vendqëndrim i tyre provizor dhe ne gjykojmë që do jetë 2-3 javë, derisa kapacitetet akomoduese që do jenë në hotele apo në struktura të tjera të jenë të lira për t’i mikpritur. Kështu që ne gjykojmë që më datën 1 tetor kur të fillojë viti i ri akademik “Qyteti Studenti” do jetë tërësisht i dedikuar vetëm për studentët”, tha Anisa Ruseti, nënkryetare e Bashkisë së Tiranës.Nga 22 godina të ndodhura në “Qytetin Studenti” me një kapacitet 5000 shtretër, 7 prej tyre me kapacitet 1200 shtretër janë nën dispozicion të zyrtarëve afganë. Aktualisht në konvikte ka 930 studentë.Por me ardhjen e tyre qytetarët që banojnë pranë këtyre ambienteve thonë se do i kushtëzojnë daljet me fëmijët në këtë zonë për shkak të frikës. Të pasigurt po ndiehem edhe një pjesë e studentëve.“Të sjellësh 200 afganë këtu mes studentëve nuk më duket e drejtë. Do ndalojmë ato lëvizjet që kishim pasdite, shëtitjet në ajër të pastër, se janë njerëz që nuk i njohim, ne ngurojmë nga njerëzit që nuk i njohim, janë fe tjetër, kanë tradita të tjera”, tha një qytetare. Megjithatë për një pjesë tjetër  të qytetarëve ardhja e afganëve në qytet student nuk është shqetësuese.“Njësoj si ne janë, duan ndihmë dhe mendoj se është detyra njerëzore t’i ndihmojmë”, shprehen ata. Për të siguruar mbarëvajtjen e afganëve por edhe komunitetit përreth, në godinat ku do qëndrojnë emigrantët mësohet se do të ketë prezencë të shtuar të forcave policore.