Durrës
121 afganët e parë strehohen në shtëpi pushimi në Durrës
Të çliruar dhe në botën e lojërave. Ishin pamjet e para të fëmijëve të strehuar bashkë me familjet e tyre afgane të vendosur në komplekset turistike në bregdetin e Durrësit ku dhe do të qëndrojnë deri në marrjen e vizës amerikane, ku dhe thuhet se do të kenë destinacionin përfundimtar.
Shtëpitë e pushimit janë marrë në mbrojtje nga policia private e cila ka siguruar një perimetër të fortë sigurie për të parandaluar incidente apo keqkuptime të mundshme. Sot pasdite familjet u vizituan edhe nga kryeministri Edi Rama i cili u ka dhuruar fëmijëve lodrat, dhe inkurajoi prindërit me mbështetjen që jep Shqipëria e aleatët. Grupi i parë i shtetasve afganë që u evakuuan nga Kabuli mbërriti në Tiranë rreth orës 03:20 minuta të 27 gushtit përbëhet nga 121 persona, aktivistë të shoqërisë civile, gra, fëmijë dhe 11 foshnje. Fillimisht me mbërritjen në Rinas grupi u akomodua për disa orë në tendat e ngritura posaçërisht pranë aeroportit për të kryer formalitetet e posaçme. Nga ana e tij kryeministri postoi në facebook një video të ardhjes së afganëve duke i uruar atyre mirëseardhjen. Sipas autoriteteve qeveritare vendi ynë ka pranuar të strehojë rreth 4 mijë afganë.