Shqipëri
Shqipëria hap spitalin “COVID 3” pas rritjes së infektimeve.
Rritja e infektimeve me COVID-19 ka detyruar Ministrinë e Shëndetësisë të vërë në dispozicion të pacientëve spitalin “COVID 3″.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në faqen e saj zyrtare në “Facebook”. Ajo shprehet se është riaktivizuar plani për të përballuar situatën dhe për t’iu përgjigjur “fluksit në spitale” me përforcimin e ekipeve mjekësore dhe sigurimin e barnave të nevojshme. Ministrja u bën thirrje qytetarëve t’u drejtohen qendrave përkatëse për të marrë vaksinën mbrojtëse kundër COVID-19. Sipas saj, procesi i vaksinimit është metoda më e mirë, e cila frenon përhapjen e mëtejshme të pandemisë. “Është thelbësor vaksinimi masiv, për të frenuar përhapjen e epidemisë në vend dhe lehtësuar pasojat e saj”, thekson ministrja. Gjatë 24 orëve të fundit, Ministria e Shëndetësisë bën me dije se katër qytetarë kanë humbur jetën, ndërsa 984 persona të tjerë kanë rezultuar pozitivë. Shumica e rasteve të reja janë identifikuar në Tiranë (294), duke vijuar më pas me Shkodrën (93) dhe Durrësin (79). Që prej fillimit të pandemisë 2.512 persona kanë humbur jetën nga COVID-19, ku sipas autoriteteve shëndetësore një pjesë e madhe vuanin nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Gjithashtu, autoritetet raportojnë se 640 persona janë shëruar gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e qytetarëve që kanë fituar betejën ndaj virusit në 135.961. Sipas të dhënave të ministrisë, janë rreth 11.628 raste aktive në mbarë vendin. Pak më parë, përmes një statusi në Facebook, ministrja e Shëndetësisë konfirmoi rihapjen e spitalit COVID 3 për “t’iu përgjigjur “fluksit në spitale”.