BE-ja ripërsërit perspektivën evropiane për Ballkanin Perëndimor
(last modified Mon, 06 Sep 2021 18:14:15 GMT )
Shtator 06, 2021 20:14 Europe/Tirane
  • BE-ja ripërsërit perspektivën evropiane për Ballkanin Perëndimor

Pas një muaji, udhëheqësit e Bashkimit Europian pritet t'i përsëritin Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe gjithë rajonit se e ardhmja e tyre është brenda unionit.

Samiti i 6 tetorit mbahet në kuadër të presidencës sllovene të Këshillit të BE-së. Më 6 tetor Sllovenia organizon samitin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor ku pritet të rikonfirmohet perspektiva europiane e rajonit. Në deklaratën paraprake që pritet të miratojnë udhëheqësit e Bashkimit Europian dhe rajonalë, theksohet se zotimi ndaj Ballkanit "është në interesin strategjik dhe zgjedhje e jona e përbashkët strategjike". "Mbështetja e BE-së do të vazhdojë të jetë e lidhur me progresin e prekshëm që vendet partnere arrijnë në fushat e sundimit të ligjit, reformat socio-ekonomike si edhe me respektin për vlerat, rregullat dhe standardet europiane," thuhet në tekst, ndërsa nënvizohet thirrja për përpjekje të shtuara në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, qeverisja e mirë dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe pakicave kombëtare. Udhëheqësit europianë kërkojnë që të hiqet dorë edhe nga skepticizmi me të cilin komentohet shpeshherë rreth BE-së. "Liderët e rajonit duhet të komunikojnë hapur me qytetarët për rëndësinë e institucioneve europiane në vendet e tyre dhe të këmbëngulin në debate e në komunikim publik se BE-ja është partneri, investitori dhe donatori kryesor në rajon," sqarohet në dokument. Sllovenia mban presidencën e Këshillit të BE-së dhe e ka shpallur prioritet gjashtëmujor qasjen konstruktive ndaj Ballkanit Perëndimor. Në këtë proces kanë avancuar Serbia dhe Mali i Zi që e kanë bindur Brukselin t'i pranojë si palë në konferencat e para ndërqeveritare, ndërkohë negociatat vijojnë t'i shtyhen Shqipërisë dhe Maqedonisë e Veriut që nga viti 2018.

 

Tags