Rama mbështet vendimin e Kosovës për reciprocitet: Serbia të bashkëpunojë
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i114394-rama_mbështet_vendimin_e_kosovës_për_reciprocitet_serbia_të_bashkëpunojë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas vendosjes së reciprocitetit ndaj Serbisë për targat e automjeteve nga ana e Kosovës.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Shtator 21, 2021 15:37 Europe/Tirane
  • Rama mbështet vendimin e Kosovës për reciprocitet: Serbia të bashkëpunojë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas vendosjes së reciprocitetit ndaj Serbisë për targat e automjeteve nga ana e Kosovës.

Ai në një postim në Twitter ka shkruar se Kosova ka ngritur problemin me plot të drejtë. “Tani që problemi të zgjidhet dhe reciprociteti i targave të garantohet duhet shmangur bumerangu i ngrirjes së konfliktit në këtë pikë (siç ndodhi me tarifën 100%).Duhet që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE të ndërmjetësojë”, shkruan Rama. Sipas këtij vendimi, të gjitha automjetet me targa të Serbisë duhet t’i zëvendësojnë ato me targa kalimtare kur të hyjnë në Kosovë. Serbët kanë kundërshtuar vendosjen e kësaj mase, të cilën pala kosovare e ka arsyetuar me skadimin e marrëveshjes së Brukselit, më 15 shtator. Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, pas aplikimit të reciprocitetit nga ana Qeveria e Kosovës lidhur me targat e automjeteve të Serbisë, ka thënë se BE inkurajon të dyja palët Kosovën dhe Serbinë që të shfrytëzojnë dialogun e lehtësuar nga BE-ja si platformë për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura mes tyre, përfshirë këtu edhe lirinë e lëvizjes dhe targat. “Ne jemi të gatshëm të presim një takim në Bruksel në çdo kohë”, ka deklaruar Stano. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të martën (21 shtator) se Kosova duhet të ndryshojë vendimet e saja “të këqija” ose në të kundërtën, shteti i tij do të ndërmarrë masa, pa specifikuar se për çfarë masash bëhet fjalë. "Ne duam t’i ofrojmë kohë shtesë Prishtinës për të ndryshuar vendimet e tyre të këqija. Nëse jo, ne do të marrim masa", tha Vuçiq pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Serbisë, që u thirr për shkak të masës së reciprocitetit për targat, të vënë nga Qeveria e Kosovës. Presidenti Vuçiç, tha se Serbia kërkon tërheqjen e trupave “që pushtuan” veriun e Kosovës. Por Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është shprehur se njësitë special të Kosovës ndodhen atje vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare. “Ligji është zbatuar, trajtimi i barabartë është siguruar, njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare", tha Kurti.