Qiratë varfërojnë shqiptarët, shpenzimet për strehim ulen ato për ushqim
(last modified Thu, 23 Sep 2021 12:16:16 GMT )
Shtator 23, 2021 14:16 Europe/Tirane
  • Qiratë varfërojnë shqiptarët, shpenzimet për strehim ulen ato për ushqim

Strehimi dhe arsimimi po kushtojnë më shtrënjtë në xhepat e qytetarëve, duke i detyruar ata të tkurrin shpenzimet për ushqim. Të dhënat konfirmohen nga raporti i fundit i INSTAT, sipas të cilit shqiptarët kanë shpenzuar më shumë para për qira, arsimim, ujë, energji elektrike, lëndë djegëse dhe mobilimin e shtëpive.

Rritja e çmimit të qirave duket se i ka detyruar shqiptarët të ulin shpenzimet për ushqim për të përballuar koston e strehimit.

Sipas raportit të INSTAT që përmbledh të dhënat deri në vitin 2019, familjet shqiptare kanë ulur shpenzimet për ushqime, duke rritur ato për arsimin dhe banesat.

Të dhënat e Institutit të Statistikave mbi shpenzimet mesatare mujore për konsum, tregojnë se shpenzimet për ushqime megjithëse zënë peshën kryesore në buxhetin familjar me 45%, kanë regjistruar një rënie me rreth 3.1 pikë përqindje krahasuar me vitin 2018.

Sipas shifrave zyrtare, shqiptarët kanë shpenzuar më shumë para për qira, ujë, energji elektrike, lëndë djegëse dhe mobilimin e shtëpive.

Shpenzimet për këta zëra, të cilët zënë 16.8 % të totalit të buxhetit familjar, kanë regjistruar një rritje prej 0.2 pikë përqindje krahasuar me vitin e mëparshëm.

Por pavarësisht se shpenzimet mujore të familjeve shqiptare për banesat janë rritur, të dhënat tregojnë se më shumë se gjysma e shqiptarëve, konkretisht 51.7% jetojnë në banesa me sipërfaqe 51-90 m2 dhe 4.6 % e tyre janë në kushte mbipopullimi, një sipërfaqe mesatare rreth 12.6 m2 për person.

Ndërkohë, gjatë vitit 2019 shqiptarët kanë rritur shpenzimet për kujdesin personal dhe arsimin, i cili ka shënuar rritje prej 0.1 pikë përqindje krahasuar me 2018-ën.

Rënien më të madhe të shpenzimeve vjetore e ka shënuar transporti me 5.5%, ndërsa rritja më e madhe e shpenzimeve familjare është regjistruar për argëtim dhe kulturë me 54.3%.

Tags