Rama: Me Kurtin nuk pajtohemi, “Ballkani i Hapur” është rruga e duhur
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se pavarësisht zhvillimeve në Kosovë dhe kërcënimeve ushtarake serbe, iniciativa "Ballkani i Hapur", është rruga e duhur e përbashkët e dy vendeve.
Në konferencën për medie, Rama tha se në këtë temë nuk ka pajtueshmëri me palën kosovare, por ky mosdakordim nuk ndikon në marrëdhëniet me kryeministrin Kurti.
Ndërkohë tha se nuk ka pasur asnjë bisedë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq për temën e reciprocitetit ndaj targave të automjeteve.
"Tani jam edhe më i bindur se sa që isha se Ballkani i Hapur është rruga jonë. Rruga jonë e përbashkët për të mirën e përbashkët. Natyrisht se kemi mos dakordësi më Albinin, kjo është politikw dhe duhet të trajtojmë si të tillë, marrëdhëniet tona nuk ndikohen", tha ai.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me sekretarin e PDK-së, Bajrush Xhemajli; anëtaren e kryesisë, Besa Kabashi Ramaj dhe me shefin e GP të PDK-së, Abelard Tahiri, ka pritur sot në selinë e PDK-së, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Krasniqi shprehu vullnetin e tij të përhershëm dhe të PDK-së, për të kultivuar raporte të afërta e miqësore me të gjitha institucionet e Republikës së Shqipërisë, si dhe uroi Edi Ramën për marrjen e mandatit të tretë si kryeministër i Qeverisë së Shqipërisë.
"Duke shprehur falënderimin për urimet e z. Rama me rastin e zgjedhjes time në krye të PDK-së, shpreha vullnetin tim dhe të përhershëm të PDK-së, për të kultivuar raporte të afërta e miqësore me të gjitha institucionet e Republikës së Shqipërisë.", tha Krasniqi.
Sipas një komunikate, PDK e vlerëson jashtëzakonisht të rëndësishëm thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, andaj Krasniqi e Rama u pajtuam për nevojën e forcimit të mëtejmë të lidhjes dhe koordinimit mes dy vendeve.
"Për këtë qëllim, konsideroj se mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, si format i iniciuar nga periudha e qeverisjes së PDK-së, duhet të vazhdojë e të zgjerojë temat e rëndësisë së përbashkët.", tha Krasniqi.
Gjatë takimit u diskutua për situatën e brendshme politike, menaxhimin e pandemisë, si dhe për zhvillimet e fundit në veri të vendit.
"Vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin me targat, e konsiderojmë të drejtë dhe legjitim. Por, shpreha shqetësim për tendencën nga ana e Serbisë për të përshkallëzuar situatën, me ç’rast kërkova që Shqipëria të luajë rol ndihmës, si vend anëtar i NATO-s.", theksoi Krasniqi.
Kryetari Memli Krasniqi falënderoi Edi Ramën për ftesën për vizitë zyrtare në Tiranë dhe premtoi që këtë vizitë do ta realizojë në momentin e parë të mundshëm.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se kanë diskutuar mbi relacionet e dy vendeve, situatën e krijuar në Veri, si dhe të ardhmen e përbashkët në familjen euro-atlantike.
Abdixhiku ka shkruar në Facebook se kryeministrin Rama e ka falënderuar për përkrahjen që po i jep Kosovës në proceset e rëndësishme.
“Po ashtu, nga ai, mora ftesë për një vizitë zyrtare në Shqipëri, të cilën do ta realizojë së shpejti. Raportet ndërshqiptare, janë bazamenti i suksesit tonë. Për këtë, unë dhe LDK jemi të përkushtuar pa hezitim”, ka shkruar ai.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka pritur në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se me kryeministrin Rama kanë biseduar për finalizimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës.
“Me Kryeministrin Edi Rama diskutuam çështjen e finalizimit të hekurudhës Prishtinë - Durrës si projekt i domosdoshëm, që lehtëson qarkullimin dhe lidh edhe më tepër vendet tona, i rëndësishëm për forcimin e sigurisë në rajon dhe integrimin në NATO”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shtuar se kanë biseduar edhe për situatën në veri të Kosovës, di dhe heqjen e të gjitha barrierave në mes dy vendeve.
“Po ashtu, diskutuam për gjendjen e sigurisë në Kosovë me theks të veçantë në veriun e vendit. Bashkëpunimi vëllazëror ndërmjet dy vendeve tona është jetik për zhvillimin e gjithmbarshëm. Qeveritë në Prishtinë dhe Tiranë duhet të bëjnë të pamundurën që të heqin të gjitha barrierat që vështirësojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat e posaçërisht në atë ekonomike”, ka përfunduar Haradinaj.
Në vizitën e tij të parë në Kosovë pas formimit të qeverisë së re, Edi Rama është takuar edhe me liderin e AKR-së, Behgjet Pacolli.
“Pata nderin të pres kryeministrin shqiptar, z. Edi Ramën me kolegë, me të cilin diskutuam mes tjerash edhe për situatën në veri të Kosovës. Vizita e kryeministrit shqiptar, në këtë moment delikatë është shume e nevojshme dhe Kosova duhet të shtrytëzoj këtë për forcimin e lidhëshmerisë, në çdo aspekt me Shqipërinë”, ka thënë Pacolli pas takimit me Ramën.