Rama dhe Vuçiç anulojnë pjesëmarrjen në konferencën e nesërme në Novi Sad
Pavarësisht raportimeve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç nuk do të flasin në konferencën e nesërme që shënon përvjetorin e dytë të themelimit të Mini-Schengenit, që së fundi u quajt Ballkani i Hapur.
Gazeta “Danas” raporton sot se Rama dhe Vuçiç e kanë anuluar pjesëmarrjen e tyre në konferencën që do të mbahet në Novi Sad. Pretendohet se një ndryshim i tillë ndodhi “në minutën e fundit”. Sipas informacioneve jozyrtare në të cilat raporton media serbe, është planifikuar që kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç të flasë me pjesëmarrësit e të ashtuquajturit forum drejtues në vend të Vuçiçit, ndërsa kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, pjesëmarrja e të cilit gjithashtu u njoftua më herët, do të flasë përmes video-lidhjes. Fillimisht ishte planifikuar që Rama, Vuçiç dhe Zaev të flisnin nesër në të ashtuquajturin panel udhëheqës, si dhe t’u drejtoheshin mediave më pas. Qarqet diplomatike spekulojnë se ndryshimi mund të lidhet drejtpërdrejt me tensionet aktuale në Kosovë. Kryeministri shqiptar e vizitoi dje Kosovën, nga ku dërgoi kritika të qarta ndaj Beogradit zyrtar, dhe shprehu mbështetjen e plotë për autoritetet kosovare. Rama në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndër tjerash, tha se Kosova ka plotësisht të drejtë në lidhje me vendosjen e reciprocitetit të targave me Serbinë, dhe theksoi se zgjidhja e problemit është dialogu.