Zhbllokohen pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë
E shtuna e 2 tetorit shënoi zhbllokimin e dy pikave kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Në rrugët që të çojnë këto dy pika nuk ka më kamionë të protestuesve serbë dhe as policë të njësisë speciale të Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës kërkoi që të largohet një mbishkrim në gjuhën serbe mbi një kamion, në të cilin thuhej: “Mirë se vini në Asociacionin e komunave serbe”. Serbët lokalë fillimisht kanë refuzuar largimin e mbishkrimit dhe janë dëgjuar duke brohoritur, “Serbia, Serbia”, mirëpo më vonë edhe ai kamion është larguar. Pjesëtarët e KFOR-it tashmë e kanë marrë kontrollin në këto dy lokacione. KFOR-i ka thënë se, nga kjo fundjavë e deri në dy javët e ardhshme, ky mision do të jetë prezent në këtë zonë, në përputhje me marrëveshjen e arritur dhe me mandatin që ka. Dy pikat kufitare janë bllokuar nga serbët lokalë prej 20 shtatorit, kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të zbatojë masën e reciprocitetit në targat e makinave të regjistruara në Serbi. Por, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, arritën një marrëveshje më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut.