S`ka datë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në BE
Shpresat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për një perspektivë të qartë kohore lidhur me pranimin në BE nuk u përmbushën as në samitin e vendeve të rajonit me bllokun europian në Bërdo të Sllovenisë.
Sipas agjencisë gjermane të lajmeve, DPA, në deklaratën përfundimtare të samitit vendimet për pranimin në BE do të varen nga përpjekjet për reformat. Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh kundër një date të caktuar për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. “Nuk sjell asgjë një afat që në fund na vendos nën presion”, tha Merkel në samitin me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bërdo. “Nuk e mbështeta këtë propozim. Deri më tani nga asnjë nga këto vende nuk janë plotësuar kriteret”, u shpreh kancelarja, edhe pse e theksoi se ka një “interes të jashtëzakonshëm strategjik” për të pranuar vendet e Ballkanit Perëndimor. Sllovenia, si vend mikpritës i samitit kishte ofruar vitin 2030 si kohë e caktuar për pranimin e këtyre vendeve, por nuk pati sukses. Por mungesa e një date, erdhi me një paketë nxitëse miliarda euroshe për rajonin. Në lidhje me këtë, Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen tha: "Një shumicë e madhe e vendeve anëtare kanë shprehur mbështetjen e tyre për zgjerimin përfshirë dhe ato më skeptiket dhe kjo është shumë e rëndësishme. Sigurisht duhen zgjidhur ende disa çështje dypalëshe siç është ajo mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Por ne treguam angazhimin tonë dhe me një paketë 30 miliardë dollarëshe për rajonin, ata mbeten partnerët tanë kryesore". “Marrëdhëniet mes Bashkimit Europian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë bërë thellësisht të pasinqerta, duke theksuar se fajin për këtë e ka vetë BE-ja” thuhet në një editorial të gazetës zvicerane, Neue Zürcher Zeitung. Ndërsa për vizitën e kryetares së Komisionit Europian në Ballkan, Ursula Von der Leyen, thuhet se ajo vetëm sa përsëriti frazën boshe, frazë e cila realisht ia neverit qytetarëve të këtij rajoni, thuhet në artikull. “Ballkani Perëndimor nuk ka iluzione sa i përket zgjerimit të BE-së, sepse ajo çfarë kanë dëgjuar është një retorikë për “perspektivë evropiane” dhe ”vlera të përbashkëta”. Trillimi i zgjerimit të plotë të BE-së duhet së pari të braktiset, në mënyrë që të bëhen hapa të mëtejshme. Brukseli dhe shtetet anëtare të BE-së e dinë se nuk do të kishin influencë në rajon, por kjo influencë tashmë është e dobët, siç edhe u pa në konfliktin e disa ditëve më parë mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruan gazeta zvicerane. Sipas saj, BE mund të jetë një faktor fuqie vetëm nëse ofron një ofertë të besueshme dhe tërheqëse për rajonin. Vetëm atëherë BE do të ketë në dorë opsionet e sanksioneve, me të cilat mund të ndikojë në sjelljen e vendeve partnere në Ballkan.