Protestë përpara Kryeministrisë për rritjen e çmimeve
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i115186-protestë_përpara_kryeministrisë_për_rritjen_e_çmimeve
Qytetarët janë mbledhur sot përpara Kryeministrisë, për të protestuar për rritjen e çmimeve të bukës, kafes, energjisë elektrike dhe karburantit.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Tetor 07, 2021 03:59 Europe/Tirane
  • Protestë përpara Kryeministrisë për rritjen e çmimeve

Qytetarët janë mbledhur sot përpara Kryeministrisë, për të protestuar për rritjen e çmimeve të bukës, kafes, energjisë elektrike dhe karburantit.

Protesta ka qenë qytetare, pa incidente. Disa pjesëtarë të policisë së shtetit kanë formuar një kordon përpara kryeministrisë. Gjatë protestës kanë mbajtur fjalën disa qytetarë dhe personalitete, ku kanë ftuar popullin që të këmbëngulë për të drejtat demokratike, duke ngritur zërin përmes protestave. Ndër personat që mbajtën fjalë ishte Pano Soko, i cili akuzoi qeveritarët se e mbajnë popullin të varfër për t’i pasur nën kontroll, ndërsa vetë pasurohen çdo ditë e më shumë. ”Ata (politikanët) nuk e dinë, nuk kanë shkuar ndonjëherë në dyqan për të parë çmimet. E gjitha bëhet për t’i mbajtur njerëzit e varfër sepse kështu i kontrollojnë. Prandaj duhet të bëhemi bashkë përballë saj”, u shpreh Pano Soko. Avokati Adriatik Lapaj tha gjatë protestës se populli duhet t’i thotë “Jo” rritjes së çmimeve. Avokati tha gjithashtu se nga Shqipëria “po ikën brezi i tretë i emigrantëve, që një pakicë të pasurohet”. “Hallet tona mund të zgjidhen vetëm duke bërë barrikadë, duke i thënë jo rritjes së çmimit të energjisë elektrike”, u shpreh z. Lapaj. Protesta e sotme ka qenë e paralajmëruar, ndërsa edhe opozita bëri thirrje për t’iu bashkuar kësaj proteste.