Policia e Kosovës: qetësohet situata në pjesën veriore të Mitrovicës
Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.
Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë Veri grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare, thuhet në komunikatë për media.
Referuar situatës së krijuar, rrezikimit të drejtpërdrejt të zyrtarëve, bllokimeve të rrugëve, përdorimit të bombolave të gazit, shok bombave, përdorimit të armëve të zjarrit e granatave të dorës nga persona të dyshuar si dhe dëmtimit/zjarrvënies së automjeteve zyrtare, Policia e Kosovës është detyruar të ndërmarrë veprime policore duke përdorur mjetet e nevojshme ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në operacion, qytetarëve në atë zonë dhe krijimit të mundësisë së lëvizjes e qarkullimit të lirë.
Si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë, deri më tani janë raportuar se (6) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre (5) zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe (1) i nacionalitetit serb. Bazuar në informacionet fillestare një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar.
Deri në këtë fazë janë arrestuar dhe shoqëruar tetë (8) persona;
R. K. (1957) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Pejës,
A. K. (1979) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Prishtinës,
M.N. (1990) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu,
I.Z. (1982) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu,
A.D. (1995) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu,
M. Dz.(1958) mashkull kosovar/boshnjak nga rajoni i Mitrovicës Veri,
I. H. (1975) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicës Veri,
M. L. (1978) mashkull kosovar/serbe nga rajoni i Mitrovicës Veri,
Kreministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se aksioni i Policisë është zhvilluar kundër krimit e kontrabandës në Prishtinë, Pejë dhe në veri e jug të Mitrovicës
Postimi i plotë i Kurtit në "Facebook"
Aksion i Policisë kundër krimit e kontrabandës në Prishtinë, Pejë dhe në veri e jug të Mitrovicës
Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri).
Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensaive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale.
Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë.
Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë.