Raporti i KE për Shqipërinë: Të hapen negociatat
Komisioni Evropian, në progres-raportin e tij, ka rekomanduar hapjen e negociatave për Shqipërinë, me arsyetimin se vendi i ka plotësuar kushtet.
Raporti vlerëson progresin e bërë me Reformën në Drejtësi, por edhe me reformat gjithëpërfshirëse në vend. Sipas tij, shtyrja e procesit të integrimit në BE ka krijuar një impakt negativ. “Shqipëria ka vazhduar të zbatojë reformën tërësore në drejtësi, që ka çuar në përparim të mirë. Një moment i rëndësishëm ishte emërimi në fund të vitit 2020 i 3 anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese”, theksohet në raport. Në të veçohet se Gjykata Kushtetuese po punon me 7 anëtarë dhe duhet bërë plotësisht funksionale, ndërsa Gjykata e Lartë po punon me 9 anëtarë, dhe duhet plotësuar. “Procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme, duke shqyrtuar 437 raste prej tyre. 62 për qind e rasteve rezultuan me shkarkime ose me dorëheqje”, thuhet në raport. Strukturat e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimeve u plotësuan me hetues dhe pritet që kjo të përmbyllet para fundit të vitit, vëren raporti. Në luftën ndaj krimit të organizuar vlerësohet se janë bërë përgatitje në fushën e ligjeve dhe bashkëpunimit me Europol sa i takon pastrimit të parave, organizatave kriminale dhe trafikimit të drogave.