“Bota serbe” - Një koncept që po e nervozon rajonin
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, e vlerësoi “botën serbe” si një kërcënim të qartë.
Pozicioni i tij është dobësuar pasi në zgjedhjet e vitit të kaluar, Partia Demokratike e Socialistëve, të cilën ai e udhëheq, u rrëzua nga pushteti pas 30 vjetësh.
Fuqia e Lëvizjes kombëtare serbe në këtë vend, në veçanti për çështjet që kanë të bëjnë më Kishën Ortodokse Serbe është parë gjatë vitit 2020. Në atë kohë, rezistenca e fuqishme e përbashkët ndaj planeve të Qeverisë së Gjukanoviqit për të zbatuar rregulla të reja mbi pronën e bashkësive fetare ishte një nga proceset kryesore politike që i parapriu ndryshimit të Qeverisë në Mal të Zi.
Gjukanoviq po përgatitet për zgjedhjet presidenciale të vitit 2022, dhe nacionalizmin serb e sheh si një ndër sfidat më të vështira.
"Qëndrimi i Serbisë ndaj Malit të Zi në këtë kohë është i ngjashëm me qëndrimin e Serbisë ndaj vendeve fqinje gjatë viteve 1990", tha Gjukanoviq më 4 qershor 2021, gjatë takimit me dy anëtarët e Presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiq dhe Shefik Xhaferoviq. “Përmes maskës se duhet kujdesur për të drejtat, të supozuara se janë të rrezikuara, të popullit serb në shtete fqinje, sovraniteti i këtyre vendeve është në thelb i rrezikuar. Kjo ndodhi në vitet 1990 dhe të gjithë e dimë epilogun", tha Gjukanoviq.
Konstrukti i konceptit të “Botës serbe” u formësua në kuadër të bashkëpunimit politik dhe të sigurisë mes Serbisë dhe Rusisë, thotë Qendra për Forenzikë Digjitale në raportin "Roli i Rusisë në Ballkan: rasti i Malit të Zi".
“Bota serbe” është një modifikim i idesë së Serbisë së Madhe, realizimi i së cilës mund të çojë në destabilizimin e rajonit dhe të ndërlikojë situatën e sigurisë, shkruan studimi.
Aty thuhet se ky koncept nënkupton revizionizëm historik, mohim të identitetit kombëtar të popujve të caktuar në fqinjësi dhe një retorikë se serbët jashtë Serbisë janë të rrezikuar, me ambicie që për çështjet e tyre të vendosë Beogradi.
"Ideja e Serbisë së Madhe ishte një nga shkaqet kryesore të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe konflikteve të përgjakshme etnike që ndodhën në vitet 1990", thuhet në studim.
Në Mal të Zi, koncepti “Bota serbe" mbështetet nga partia në pushtet, Fronti Demokratik (DF). Ata formuan qeverinë me demokratët dhe lëvizjen qytetare URA pas zgjedhjeve të gushtit të vitit 2020.
"Serbëve përtej kufirit u pëlqen ideja e 'Botës serbe', dhe ne tashmë jemi duke punuar në realizimin e saj", tha për N1 në muajin qershor një nga drejtuesit e Fontit Demokratik, Andrija Mandiq.
"BOTA SERBE" THELLON NDARJET NË BOSNJE DHE HERCEGOVINË
Ndaj deklaratës së Vullinit se "detyrë e këtij brezi politikanësh është të krijojë një 'Botë serbe', të bashkojë serbët kudo që ata jetojnë," u përgjigjën zyrtarët e Bosnje dhe Hercegovinës.
Ministrja e Jashtme e Bosnjës, Bisera Turkoviq, tha se ajo priste që presidenti Vuçiq të distancohej menjëherë nga deklaratat e Vullinit, përndryshe, siç tha ajo, heshtja do të konfirmonte se politika zyrtare e Serbisë është të prishë Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit me qëllim të aneksimit të pjesëve të Bosnje dhe Hercegovinës.
Deklarata e Vullinit është një shkelje flagrante e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, destabilizim i të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe një kërcënim për qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës, të cilët u mbrojtën nga agresioni dhe gjenocidi 26 vjet më parë, tha Turkoviq.
Nënkryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq, i vlerësoi deklaratat e Vullinit si hegjemoniste, ndërsa zëvendëspresidenti i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Millan Dunoviq, tha se përpjekja për të ringjallur Serbinë e madhe nuk kontribuon në të mirë të marrëdhënieve fqinjësore.
"Ministër Vullin, më lejoni t'ju them, si një serb, serbit tjetër – me mua nuk mund ta ndani bukën, dhe sigurisht jo me Bosnje dhe Hercegovinën", tha Daunoviq.
"Bota serbe" shihet ndryshe në entitetin serb të Bosnje dhe Hercegovinës - Republika Sërpskën. Anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, thotë se nuk ekziston ndonjë projekt që bën thirrje për Serbinë e madhe.
"Projekti ynë është të forcojmë Republika Sërpskën në atë masë sa të jemi një shtet i pavarur në këtë rajon. Tregimi për 'Botën serbe' është një histori për vlerat që njerëzit kanë, dhe ato janë vlerat që lidhen me besimin dhe identitetin tonë", ka thënë Dodik.
Dodik mban lidhje të ngushta me Serbinë dhe Rusinë. Ai përgjatë viteve ka mbajtur të njëjtën retorike dhe Beogradi zyrtar nuk e ka kundërshtuar asnjëherë.
Gjatë vizitës së tij të fundit në kryeqytetin serb, ku mori pjesë në Samitin e të Painkuadruarve më 11 tetor, Dodik u ul nën simbolin e shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës pasi është anëtar i presidencës së këtij vendi.
Premtimet e tij për të ndarë entitetin e Republika Sërpskës nga Bosnje dhe Hercegovina e kanë një histori të gjatë. Kushtetuta e këtij vendi nuk e mundëson këtë, prandaj prania e tij në samit nxiti vëmendjen se kë në fakt e përfaqëson ai.
Serbia dhe Republika Sërpska, gjithashtu, refuzojnë të njohin gjenocidin e kryer në vitin 1995 nga forcat serbe në Srebrenicë. Uniteti në mohimin e krimit që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli si gjenocid më 2007 nuk përmendet në promovimin e konceptit të "Botës serbe" të përkrahur nga të dyja palët.